Nga Andrew A.Michta “19 Forty Five”
Pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, do të hyjë në histori si një kolonializëm, i maskuar si një projekt gjeopolitik megaloman. Ne jemi dëshmitarë të një shfaqjeje tjetër të imperializmit rus, pavarësisht nga shumë shpjegime të predikuara nga të ashtuquajturit “realistë”, se ishte në një farë mënyre perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, edhe pse në rastin më të mirë në një të ardhme të largët, ajo që e provokoi Putinin të sulmonte.
Në realitet, ky pushtim është përgatitur gjatë 20 viteve të sundimit të Putinit. Gjatë muajve të fundit Rusia grumbulloi shumë trupa ushtarake në kufi, e vendosur qartazi për ta pushtuar fqinjin e saj. Putini besonte se do t’ia hidhte paq edhe ketë herë.
Sepse edhe në të kaluarën Perëndimi – pavarësisht këmbënguljes sonë për shenjtërinë e kufijve dhe të drejtave të njeriut – qëndroi duarkryq kur Cari i Kremlinit i masakroi çeçenët, pushtoi një pjesë të Gjeorgjisë, pushtoi Krimenë, nisi një luftë në Donetsk dhe Luhansk, u përfshi në konfliktin sirian, dhe masakroi banorët e Aleppos.
Sot, ndërsa ushtria e Putinit po hedh bomba dhe raketa mbi qytetet ukrainase, duke vrarë civilë të pafajshëm, dhe duke krijuar peizazhe që të kujtojnë më shumë Luftën e Dytë Botërore sesa Evropën post-moderne, Perëndimi po zgjohet më në fund, duke e kuptuar se nëse Rusia e sotme nuk mposhtet, Evropa nuk do të njohë paqen e vërtetë, por vetëm periudha armëpushimi.
Rezistenca kokëfortë e Ukrainës ndaj pushtimit, po e ndryshon Evropën në një aspekt tjetër. Ajo po na kujton rëndësinë thelbësore që ka patriotizmi, dhe një identitet kombëtar i përbashkët, një identitet që ndihet thellësisht, dhe që është mjaftueshëm i fortë për t’i bërë burrat dhe gratë të vënë në rrezik jetën e tyre për njerëzit që nuk i kanë takuar kurrë më parë.
Asnjë fjali nuk e ka përmbledhur më mirë këtë ndjenjë patriotizmi dhe detyrimesh të ndërsjella, sesa refuzimi i presidentit ukrainas Zelenski ndaj një oferte për ta evakuuar atë nga Kievi:“Nuk kam nevojë për një mjet udhëtimi, por për më shumë municione!”.
Tek kjo fjali qëndron thelbi i një kombi, që e kupton se çfarë do të thotë të jesh i tillë. Ukrainasit po na mësojnë se cilat janë vërtetë këto parime, pra dashuria për vendin, sovraniteti dhe solidariteti kombëtar, tre koncepte që janë përjashtuar prej kohës nga diskursi politik perëndimor.
Në këtë moment tragjik të Ukrainës që i qëndron përballë Putinit, i gjithë bagazhi i teorisë perëndimore post-moderne për “globalizimin”, ”transnacionalizmin” apo “post-modernizmin” po del në pah për atë që ka qenë gjithmonë:trillime intelektuale të shkëputura nga realiteti.
Po ashtu kjo luftë e ka zhvendosur ndikimin relativ politik midis anëtarëve të NATO-s, nga Evropa Perëndimore në Evropën Qendrore. Për dy dekada, shumë njerëz në Evropën Qendrore, qofshin estonezë, polakë apo rumunë, e paralajmëruan Perëndimin mbi Putinin, dhe ndërkohë janë trajtuar shpesh me përbuzje si “rusofobë” fanatikë nga homologët e tyre perëndimorë.
E megjithatë, ata e kanë kuptuar shumë mirë, se çfarë lloj shteti është në fakt Rusia e sotme. Është i çuditshëm fakti që Evropa u bashkua, vetëm kur njëri prej kombeve të saj më të varfër tregoi vendosmërinë e tij për të mbrojtur parimet dhe vlerat, për të cilat flasim që të gjithë kaq shumë, por që shpeshherë dështojmë t’i mbrojmë.
Presidenti i Ukrainës, të cilin shumëkush e konsideronte si një komedian fillestar në politikë, po na tregon çdo ditë kuptimin e vërtetë të lidershipit. Dhe mos kini asnjë iluzion:Në rast se Ukraina nuk do të rezistonte, dhe shteti do të shpërthehej brenda disa ditësh siç priste Putin, Evropa do t’i rikthehej biznesit të zakonshëm me Rusinë.
Klasa politike llafazane që do të përsëriste klishetë e vjetra se si Rusia ka në fakt të drejtë të ketë “zonën e saj të sigurisë”, apo se si duhet të ishim angazhuar që në fillim për të siguruar “neutralitetin” e Ukrainës.
Udhëheqësit e BE-së do të rinisnin të flisnin për politikën e ndryshimeve klimatike dhe energjinë e gjelbër, ndërsa Putin do të vazhdonte të fitonte para duke shitur gazin dhe naftën e Rusisë në Evropë, me një pjesë të madhe të të ardhurave, që do të shkonin sërish për forcimin e ushtrisë së tij.
Sot kjo gjë nuk është më e mundur, falë guximit të popullit ukrainas. Kjo luftë është ende në fazat e saj të para. Por duhet të jetë e qartë për të gjithë ne, se është një luftë për të ardhmen e Evropës, dhe se nuk ka më rikthim në statuskuonë e vjetër.
Sulmi i paprovokuar i Putinit ndaj Ukrainës, ka vënë në lëvizje forcat që do të de-konstruktojnë dinamikën e pushtetit në Euroazi, që për 3 shekuj e ka zhytur Evropën nga njëri konflikt në tjetrin. Objektivat fundore të kësaj lufte, duhet të jenë jo vetëm ruajtja e pavarësisë së Ukrainës, por edhe rivendosja e një shteti të pavarur në Bjellorusi.
Vetëm atëherë Evropa do të çlirohet nga gjurmët e fundit të projektit perandorak të Rusisë. Vetëm atëherë populli rus do të ketë shansin të nisë transformimin e vendit të tij në një shtet-komb të vërtetë, të zhveshur nga ambicia e tij perandorake, dhe i gatshëm t’i nënshtrohet reformave reale politike dhe ekonomike. /abcnews.al
Shënim:Dr.Andrew A.Michta , dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë George C.Marshall në Garmish, Gjermani.