Prof. Dr. Selami Xhepa ka qenë i ftuar sot në ABC-ja e Mëngjesit me gazetarin Enkel Demi.
Porf. Xhepa, ekspert i ekonomisë, ka renditur disa arsye pse shqiptarët zgjedhin të largohen nga vendi i tyre. Xhepa tha se gjendja e demokracisë në Shqipëri është dëshpëruese, dhe për pasojë sjell ndikimin e saj në ekonomi.
“Jemi në kushtet e një thirrje dëshpëruese. Kemi zona rurale përtej Tiranës. në qytete të tjera nuk gjen dot punëtorë për të kryer një operacion të thjeshtë pune. Kjo po pengon në mënyrë serioze zhvillimin normal ekonomik dhe zhvillimin e vendit në mënyrë të ekuilibruar. Si mund të ndërtosh jetën në Shqipëri, kur niveli i pagave ka vazhduar të jetë i njëjtë me 10 vite më parë, ndërkohë që çmimet kanë vazhduar të rriten?! Më vjen keq por njerëzit nuk mund të jetojnë dot me këtë nivel të ardhurash. Kjo është arsyeja që i con njerëzit të braktisin Shqipërinë. Pra ka një motiv shumë të fortë që i largon njerëzit. Njerëzit nuk largohen thjesht nga mungesa e alternativave ekonomike por edhe nga gjendja e institucioneve, gjendja e demokracisë në vend, nga fakti që nuk përfillen, njerëzit paguajnë taksa dhe nuk marrin asgjë në kthim. Pra është një sistem i tërë që ka nevojë të përmirësohet. Te gjendja e demokracisë futen funksionimin e institucioneve, votës etj dhe nuk është aq e thjeshtë”, tha Xhepa.
I pyetur nga gazetari Enkel Demi për buxhetin e vitit të ardhshëm, se si mund të karakterizohet ai, Xhepa tha:
“Buxheti është i kufizuar, dhe vjen në tkurrje. Rritja e të ardhurave për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë shumë simbolike. Bashkë me shkurrtimin e të ardhurave do të kemi edhe shkurtim të investimeve publike dhe më pak shpenzime për sektorët e tjerë të ekonomisë. Kështuqë ky buxhet do të tkurrë ekonominë dhe jo ta zgjerojë”./abcnews.al