Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Ndërsa Perëndimi ishte i shqetësuar për pushtimin e Ukrainës, Koreja e Veriut lëshoi në heshtje dy raketa në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit, në brigjet e saj lindore. Koreja e Veriut pretendon se është duke testuar pajisje satelitore ndërsa Amerika ka shprehur shqetësimin se regjimi i Kim Jong Un po teston raketa balistike ndërkontinentale (ICBM), të cilat sipas saj do të ishin “një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Çfarë mund të bëjë Koreja e Veriut?
Pretendimi i Koresë së Veriut për të testuar pajisje për satelitët nuk është i pabesueshëm. Programi satelitor i vendit ka një histori relativisht të gjatë. Pas një sërë dështimesh, ai kreu lëshimin e parë të suksesshëm në 2012 dhe një të dytë pak më shumë se tre vite më vonë.
Ekspertët dyshojnë nëse secili nga satelitët po dërgon të dhëna në Tokë. Kim ripohoi dëshirën e tij për testimin e satelitëve gjatë një konference të rëndësishme partie në vitin 2021, duke prezantuar një plan pesëvjeçar, raporton abcnews.al
Sipas mediave shtetërore, ai tani e konsideron atë një prioritet politik dhe ushtarak. Satelitët do t’i lejonin Koresë së Veriut të mbledhë informacione në kohë reale mbi “imperializmin amerikan dhe forcat e tij vasale”, duke përmbushur kështu të drejtën e saj “legjitime” për “vetëmbrojtje”.
Regjimi në të kaluarën ka pretenduar se programi i saj hapësinor është i projektuar për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Satelitët shërbejnë për të gjitha qëllimet, deri te monitorimi i të korrave.
Përveç monitorimit të lëvizjeve të trupave armike, satelitët mund të spiunojnë edhe qytetarët e zakonshëm. Dhe ata mund të përshpejtojnë zhvillimin e programit raketor të Koresë së Veriut duke mbledhur informacione të vlefshme rreth testeve. Më 10 mars, më pak se një javë pas lëshimit të raketës së dytë, departamenti i mbrojtjes amerikane pretendoi se të dyja raketat ishin ICBM dhe e cilësoi të rreme deklaratën e Koresë se po përdoreshin si testimin e satelitëve.
Më 30 janar, Koreja e Veriut testoi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi që pretendonte se mund të arrinte objektiva deri në 5,000 km larg. Ishte testi me rrezen më të gjatë që nga viti 2017. Kim la të kuptohet në janar se testet ICBM mund të rifillojnë dhe imazhet e fundit satelitore tregojnë një rifillim të aktivitetit.
Agjentët e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se testimi i armëve bërthamore mund të rifillojë brenda një viti.
Forcat amerikane të mbrojtjes ajrore me bazë në Korenë e Jugut kanë rritur numrin e stërvitjeve në përgjigje të rritjes së lëshimit të raketave të Koresë së Veriut. Më e rëndësishmja, është se zhvillimi i armëve dhe testimi i pajisjeve satelitore nuk janë ekskluzive. Megjithëse, teknologjitë janë mjaft të ngjashme sa që i njëjti test mund t’i shërbejë për të dy qëllimet.
Koreja e Veriut, në disa raste të caktuara ka minimizuar diferencën mes të dyjave. Sipas një artikulli të vitit 2019, gjithçka që përcakton nëse një raketë përdoret për kërkime paqësore apo si armë është “nëse raketa është e pajisur me një satelit apo një bombë”.
Kim vizitoi objektet satelitore në mars, duke urdhëruar që ato të modernizohen dhe të zgjerohen. Kjo sugjeron që regjimi nuk është ende gati të vendosë një satelit në orbitë. Por lëvizja e saj e radhës mund të jetë shpejti.
Dhe analiza e imazheve satelitore tregon që qeveria po përgatitet të tregojë fuqinë e saj me një paradë të madhe ushtarake, më 15 prill për të festuar 110 vjetorin e lindjes së Kim Il Sung, gjyshit të Kim dhe arkitektit të Koresë së Veriut.
/abcnews.al