Nga Joseph S.Nye, JR. “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Presidenti rus Vladimir Putin mendoi se mund ta pushtonte shpejt Kievin, dhe të zëvendësonte qeverinë aktuale të Ukrainës. Pavarësisht nëse u gënjye nga të dhënat e dobëta të shërbimeve sekrete ruse apo nga fantazitë vetjake mbi historinë, sulmi i tij rrufe dështoi përballë rezistencës efektive të Ukrainës.
Më pas ai nisi bombardimin brutal të qyteteve si Mariupol dhe Kharkiv, për të terrorizuar popullsinë civile dhe për ta detyruar atë të nënshtrohej. Njëlloj siç kishte bërë më parë në Grozny dhe Aleppo. Rezultati tragjik është se rezistenca heroike e Ukrainës, është shoqëruar me vuajtje gjithnjë e më të mëdha të civilëve.
A ka ndonjë mënyrë për t’i dhënë fund sa më shpejt këtij makthi? Një mundësi është që presidenti kinez Xi Jinping të shohë se ka përpara një “rast të artë si ai i Teddy Roosevelt”. Pas luftës brutale midis Rusisë dhe Japonisë në vitin 1905, Roosevelt ndërhyri për të ndërmjetësuar një marrëveshje për paqe.
Ai ushtroi presion ndaj të dyja palëve që të bënin kompromis dhe në fund fitoi, duke e rritur kështu ndikimin global të Amerikës, dhe fituar Çmimin Nobel për Paqen. Turqia, Izraeli dhe Franca po përpiqen që të ndërmjetësojnë në luftën aktuale të Rusisë në Ukrainë. Por ato nuk kanë aq shumë ndikim tek Putin sa ka aleati i tij Xi Jingping.
Çështja është nëse Xi ka imagjinatën por edhe guximin ta shfrytëzojë këtë pozitë. Deri më tani përgjigja është jo. Ndërsa Kina e ka portretizuar veten prej kohësh si një mbrojtëse e parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial, ajo ka toleruar shkeljen e pacipë të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Vladimir Putin.
Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi për një rezolutë që dënonte pushtimin e Rusisë, Kina abstenoi. Kina i ka kritikuar sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, dhe i ka bërë jehonë propagandës ruse, sipas së cilës lufta është shkaktuar nga planet e vetë Amerikës për të vazhduar zgjerimin e NATO-s në lindje, edhe pse ishte e qartë prej vitesh se anëtarët e NATO-s nuk do të votonin për ta pranuar Ukrainën në ligjin e aleancës.
Mosgatishmëria e Kinës për ta kritikuar Rusinë, e ka lënë atë në periferi të diplomacisë, duke qenë e paaftë të ushtrojë një ndikim që është në proporcion me fuqinë e saj ekonomike dhe ushtarake në rritje.
Ndonëse censorët kinezë kufizojnë shumicën e lajmeve për luftën, disa ekspertë në Pekin kanë pyetur hapur veten nëse qëndrimi aktual diplomatik i Kinës, po u shërben apo jo më së miri interesave të saj kombëtare. Për shembull,Wang Huiyao, presidenti i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin në Pekin, sugjeron që Kina të ndërmjetësojë për t’i dhënë Putinit një “rrugëdalje” nga politika e tij katastrofike në Ukrainë.
Por pse kjo gjë mund të jetë në interes të Kinës? Së pari, pozicioni aktual i Kinës e përgënjeshtron pretendimin e saj se është një mbrojtëse e sovranitetit, të cilin ajo e përdor për të joshur fqinjët e saj në Azinë Juglindore.
Së dyti, lufta po e zbeh fuqinë e butë të Kinës në Evropë, e cila ka me Evropën një volum tregtar 5 herë më të madh sesa Rusia. Nga ana tjetër, lufta e ka rritur çmimin e importeve të naftës dhe drithërave që kryen Kina. Çmimet e drithërave do të bëhen edhe më problematike nëse Kina do të përjetojë të njëjtën shkallë përmbytjesh të rënda si ato të vitit të kaluar.
Ndërsa lufta vazhdon dhe shtohen sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, ekziston gjithashtu edhe rreziku që sanksionet dytësore të përhapen dhe ta dëmtojnë seriozisht Kinën. Dhënia e një rrugëdalje Putinit për të shpëtuar fytyrën, mund të trajtojë këtë dhe rreziqet e tjera që paraqet lufta.
Kjo do të thellonte varësinë në rritje të Rusisë nga Kina, dhe do të forconte imazhin dhe pozitën globale të Kinës. Madje Xi mund të fitojë Çmimin Nobel për Paqen. Një nismë e tillë do të kishte sigurisht kostot e veta. Diplomatët e kujdesshëm kinezë, e shohin luftën në Ukrainë si një konflikt evropian. Nëse e zbeh fuqinë e fuqive më të vjetra si Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, Kina mund të përfitojë duke qëndruar indiferente, dhe duke e lënë konfliktin të vazhdojë të vlojë.
Për më tepër, megjithëse lufta po dobëson një aleat (një kosto e mundshme), ajo gjithashtu e ka ndryshuar axhendën politike globale në mënyra që janë të dobishme për Kinën. SHBA-ja nuk mund të flasë më për një orientim drejt Azisë, ku do ta përqendronte vëmendjen e saj ekskluzivisht tek Kina.
Pas krizës financiare të vitit 2008, udhëheqësit kinezë arritën në përfundimin se SHBA-ja ishte në rënie, dhe kjo i bëri ata ta braktisnin politikën e jashtme të durimit dhe kujdesit strategjik të Deng Xiaoping. Që atëherë nacionalizmi është rritur, dhe Xi shpreson që Kina do t’ia kalojë SHBA-së në nivelin gjeopolitik, duke qenë lidere e botës brenda vitit 2049, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore.
Pengesa kryesore për ëndrrën e Xi është sigurisht SHBA-ja, e ndjekur nga mungesa e aleatëve të Kinës përveç Rusisë. Xi dhe Putin kanë krijuar një marrëdhënie personale, që e ka përforcuar atë që ishte më herët një aleancë e komoditetit. Edhe nëse lufta në Ukrainë e ka bërë atë aleancë disi më pak të përshtatshme, Xi mund të mendojë ende se të “vallëzosh me atë që të solli në festë” tregon që je i kujdesshëm.
Për më tepër, fillimi i një “lëvizjeje ruzveltiane”, do të kërkonte ndoshta më shumë imagjinatë dhe fleksibilitet sesa është i aftë lidershipi kinez. Ndërkaq, duhet të kemi parasysh edhe një element politik të brendshëm, të cilin ma vuri në dukje kohët e fundit edhe një miku im kinez: Meqë Xi kërkon këtë vit një mandat të tretë presidencial, ajo që ka më shumë rëndësi për të është të ruajë kontrollin e vendit nga Partia Komuniste, dhe kontrollin e tij mbi partinë.
Ndërsa rritja ekonomike është ngadalësuar, PKK është mbështetur gjithnjë e më shumë tek nacionalizmi për të legjitimuar sundimin e saj. Është kjo arsyeja pse mediat zyrtare kineze dhe faqet e internetit me frymë nacionaliste, kanë përsëritur shpesh pretendimet e Putinit se Ukraina është një kukull në duart e Perëndimit, dhe se Rusia po i kundërvihet ngacmimeve të Amerikës ndaj Rusisë dhe Kinës.
Mbështetja për luftën e Putinit është në përputhje me “diplomacinë e ujkut luftëtar”, një qasje shumë nacionaliste e diplomatëve kinezë. Por ndërsa pushtimi i Putinit e ka përmbysur politikën botërore, ai nuk e ka ndryshuar ekuilibrin themelor të fuqisë. Nga ana tjetër, ai e ka forcuar paksa pozicionin global të SHBA-së. Po ashtu janë përforcuar aleancat e NATO-s dhe Amerikës.
Gjermania ka tashmë një qasje mbrojtëse shumë më të fuqishme sesa në çdo kohë gjatë dekadave të fundit. Njëkohësisht, ka pësuar një goditje të rëndë reputacioni i Rusisë si një fuqi e frikshme ushtarake. Ekonomia e saj është dobësuar, dhe fuqia e saj e butë është thuajse e rrënuar.
Kina nuk mund të pretendojë më ekzistencën e aleancës së autokracive, si një provë se era e Lindjes po mbizotëron mbi atë të Perëndimit. Kina mund ta ndryshojë ende dinamikën duke shfrytëzuar mundësinë e saj si Teddy Roosevelt dikur. Por unë dyshoj se do të ndodhë kjo gjë. /abcnews.al