Nga Benjamin Ho “National Interest”
Tridhjetë vjet më parë, politologu amerikan Francis Fukuyama foli në librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, mbi pashmangshmërinë e triumfit të demokracisë liberale perëndimore dhe universalizimit të vlerave demokratike në të gjithë botën.
Libri u kritikua nga shumë studiues dhe analistë, përfshirë emra si Samuel Huntington, Fareed Zakaria dhe Benjamin Barber, të cilët i interpretuan idetë e Fukuyama si naivisht optimiste, pasi ato nuk njihnin gabimet themelore që e ndanin Perëndimin jo vetëm nga pjesa tjetër e botës, por që bënin dallimin edhe midis vetë shoqërive perëndimore.
Gjithsesi vizioni i Fukuyama-s për një Perëndim liberal, që do të vepronte si një fanar shprese dhe premtimi për kombet e tjera që do ta imitonin, në fund triumfoi, të paktën midis liberalëve në Amerikë.
Ideja që vlerat amerikane (demokracia, liria, e drejta për të zgjedhur) nuk u përkisnin vetëm amerikanëve, por reflektonin aspirata dhe qëllime universale (për sa kohë që institucionet politike mund të reformoheshin), u bë një temë qendrore dhe botëkuptimi kryesor që diktoi politikën e jashtme amerikane.
Administratat Clintonit, Bush dhe Obama – në shkallë të ndryshme -e ruajtën një mënyrë të tillë të të menduarit, dhe manuali diplomatik i Uashingtonit cilësohej si një filozofi shumë misionare:Amerika do të fitonte mbi armiqtë e saj për shkak të tërheqjes nga vlerat dhe mënyrës së saj e jetës, me theksin kryesor tek demokracia.
Por një vizion i tillë, nuk përputhej me realitetet e jetës ndërkombëtare, dhe Shtetet e Bashkuara paguan një kosto të rëndë për vizionin e tyre politik në Lindjen e Mesme, ku Lufta kundër Terrorizmit (e nisur nga George W.Bush), e detyroi SHBA-në t’i kalonte 20 vitet e ardhshme në një luftë të kushtueshme në Afganistan dhe Irak, duke luftuar terrorizmin islamik.
Ajo periudhë e përfshirjes së Amerikës në luftën kundër terrorizmit, përkoi me ngritjen e Kinës në skenën ndërkombëtare, ku Pekini pa një shans të artë për të promovuar interesat e tij së pari në Azi, dhe pastaj në mbarë botën. Anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në 2001, shënoi një moment të rëndësishëm në përpjekjet e saj globale.
Si për ironi të fatit, Shtetet e Bashkuara ishin një nga mbështetëset më të forta të pranimit së Kinës në OBT. Presidenti i atëhershëm Bill Clinton e përshkroi atë si një “hap historik drejt prosperitetit të vazhdueshëm të Amerikës, reformës në Kinë dhe paqes në botë. . .dhe që të hapë dyer të reja të tregtisë për Amerikën, dhe një shpresë të re për ndryshim në Kinë”.
Por Pekini kishte ide të tjera. Në dukje, Kina po i përmbahej ende diktatit të Deng Xiaoping ‘taoguangyanghui’ (fshihni dritën dhe ushqeni errësirën). Por edhe atëherë kishte disa shenja që sinjalizonin mbi ambiciet e mëdha të Pekinit, të cilave Uashingtoni nuk u kushtoi mjaftueshëm vëmendje.
Për shembull, shumë studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare në Kinë i kushtuan befas një vëmendje të madhe konceptit të fuqisë së butë në vitet e para të shekullit XX-të, edhe pse kjo ide u krijua nga profesori i Harvardit Joseph Nye në fundin e viteve 1980.
Siç e thotë studiuesi me banim në Singapor Li Mingjiang nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare S.Rajaratnam, synimi kryesor i fuqisë së butë ishte të hidhte poshtë tezën e kërcënimit që mund të na vinte nga Kina. Udhëheqësit kinezë ishin shumë të ndërgjegjshëm ndaj perceptimit të kërcënimit që kishte sjellë rritja e Kinës, ndaj e përdorën fuqinë e butë si një mjet për ta diskredituar atë kërcënim.
Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008, e forcuan më tej besimin e Kinës se kishte ardhur koha e saj, dhe se ajo ishte e gatshme të hidhte hapin tjetër për të sfiduar Shtetet e Bashkuara sa i përket supremacinë globale. Rastësisht ose jo, Kina ia kaloi SHBA-së për numrin e medaljeve të arta fituara, 48 përkundrejt 36, duke u bërë kështu vendi i parë që e uli Uashingtonin në vendin e dytë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Shenja e tretë e sfidës në rritje të Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, u shfaq gjatë krizës financiare globale të viteve 2008-2009. Kur Uashingtoni dhe shumë vende perëndimore po përpiqeshin të rimëkëmbnin vendet e tyre, në Kinë nisi të promovohej narrativa sipas së cilës Shteteve të Bashkuara, dhe markës së saj të kapitalizmit financiar global, nuk mund t’i zihej besë.
Për Pekinin, kriza financiare tregoi të metat e Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit. Ndaj ajo ndjeu nevojën për të krijuar institucionet e saj globale, që nuk do t’u përmbaheshin rregullave perëndimore, por që do të reflektonin tiparet që nuk ishin perëndimore, dhe që do të pasqyronin interesat dhe prioritetet kineze.
Por duke pasur parasysh natyrën shumë të ndërlidhur të botës së globalizuar, Kina nuk mund ta bënte dot këtë pa dëmtuar seriozisht edhe interesat e saj. Por situata ndryshoi me rritjen e gjigantëve të teknologjisë kineze në fillimin e viteve 2010, gjë që e lejoi Kinën të sfidonte monopolin e kompanive perëndimore, duke siguruar që qytetarët kinezë të operonin në sistemet e dizajnuara nga kinezët. Kjo përkoi me kalimin e pushtetit nga Hu Jintao tek Xi Jinping. Në marrëdhënien e saj aktuale me Shtetet e Bashkuara, Kina po synon të promovojë idenë se është e jashtëzakonshme dhe më e mirë sesa Perëndimi. Dhe një nga arsyet është se Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur shpesh si një të mirë universale rendin ndërkombëtar liberal perëndimor dhe promovimin e demokracisë.
Kjo ka qenë një “halë në sy” për Pekinin, dhe jo vetëm për shkak të sistemit të tij autoritar, që po kritikohet shpesh nga fuqitë perëndimore për shkeljen e të drejtave të njeriut. Për sa kohë që ekziston ky defiçit demokratik, imazhi ndërkombëtar i Kinës do të jetë gjithmonë disi i njollosur, dhe kjo nga ana tjetër, do të ndikonte në imazhin e shenjtëruar të Xi dhe PKK.
Në këtë kuadër, nuk është për t’u habitur pse Kina nuk u zë besë Shteteve të Bashkuara. Pekini e cilëson objektivin e Uashingtonit për të ruajtur lidershipin global, por edhe administratën aktuale të Joe Biden –me theksin e saj në promovimin e demokracisë – si një kërcënim ekzistencial për botëkuptimin e tij politik.
Në fakt, kritikat perëndimore ndaj Pekinit në lidhje me Xinjiangun, Hong Kongun dhe Tibetin, ushqejnë narrativën qendrore të PKK:Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi, duan të sfidojnë kontrollin e partisë dhe ta ribëjnë Kinën sipas imazhit të Perëndimit.
Një mentalitet i tillë i rrethimit nga jashtë, nënkupton se Pekini nuk ka gjasa të gjejë ndonjëherë gjuhën e përbashkët me Shtetet e Bashkuara për sa i përket interesave kryesore strategjike. Uniteti është thelbësor për ruajtjen e imazhit të shenjtëruar të partisë, dhe PKK do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur atë.
Marrë me shkurtime
Shënim: Benjamin Ho, është ndihmës/profesor në Programin e Kinës në Institutin e Mbrojtjes dhe Studimeve Strategjike në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare S.Rajaratnam. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al