Pse Joe Biden duhet të garantojë dhe drejtojë ripërtëritjen e NATO-s

schedule09:20 - 25 Nëntor, 2020

schedule 09:20 - 25 Nëntor, 2020

Nga Charles V.Peña “National Interest”

Si një kandidat nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden shkroi në një ese për “Foreign Affairs”, ku ndër të tjera theksoi se axhenda e tij “do t’i vendosë sërish Shtetet e Bashkuara në krye të tryezës, në pozitë për të punuar me aleatët dhe partnerët e saj, dhe për të mobilizuar veprimet ndaj kërcënimeve globale”.

Duke shkruar në lidhje me partneritetet e SHBA me aleatët, dhe duke cituar NATO, ai tha:”Unë do të drejtoj përpjekjen për t’i ri-imagjinuar ato në botën me të cilën përballemi sot”. Por çfarë duhet të thotë kjo?NATO u krijua fillimisht si një aleancë ushtarake për ta mbrojtur Evropën Perëndimore nga kërcënimi ushtarak sovjetik dhe nga ambiciet ekspansioniste komuniste.

Në atë kohë, Evropa ishte shkatërruar – si në aspektin ushtarak ashtu edhe atë ekonomik – nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kishte kthyer kokën nga Shtetet e Bashkuara për të garantuar  ndihmë ekonomike dhe një “ombrellë” sigurie.

Një gur themeli i aleancës është koncepti i mbrojtjes kolektive i cituar në Nenin 5:”Një

sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej anëtarëve në Evropë apo Amerikën e Veriut, do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve”.

Kjo do të thoshte që Bashkimi Sovjetik duhej t`a kishte të qartë, se çdo pushtim prej saj i Evropës rrezikonte një luftë të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, përfshirë përdorimin e armëve bërthamore. Por Muri i Berlinit ra më 1989. Bashkimi Sovjetik nuk ekziston

më.

Ish-aleatët e tij të Traktatit të Varshavës janë integruar në Bashkimin Evropian, dhe tani janë edhe pjesë e NATO-s. Dhe Rusia nuk paraqet më të njëjtin kërcënim si ish-Bashkimi Sovjetik. Por nëse Rusia shihet si një kërcënim për Evropën, ai është një lloj kërcënimi të cilit evropianët duhet të jenë në gjendje t’i kundërvihen pa pasur nevojë të varen nga Shtetet e Bashkuara, siç bënë gjatë Luftës së Ftohtë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i kombinuar me vendet evropiane të NATO-s ishte 17.5 trilionë dollarë në vitin 2019, ose 10 herë më i madhe se ai i Rusisë (1.7 trilionë dollarë). Dhe shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s janë më shumë se 4 herë më të mëdha sesa ato të Rusisë:287 miliardë përkundrejt 65 miliardë dollarë.

Duke pasur parasysh financat, është me vend të pyetet se si Rusia paraqet një kërcënim, dhe pse Evropa nuk mund të mbrohet dot vetë kundër saj. Kjo nuk do të thotë që kërcënimi rus është dashamirës, ​​por është e rëndësishme që ky kërcënimi të vendoset në kontekstin e duhur.

Dhe rreziku që Rusia paraqet për Evropën, mund të jetë më pak nga perspektiva ushtarake, dhe më shumë nga sulmet kibernetike dhe fushatat e keq-informimit, që synojnë të minojnë zgjedhjet dhe besimin e qytetarëve tek qeveritë dhe institucionet.

Edhe në masën e kufizuar që Rusia paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak, një pjesë e problemit nuk është se sa para shpenzojnë evropianët për mbrojtjen, por mënyra se si i shpenzojnë ato. NATO ka standarde operacionale, materiale dhe administrative, si dhe ndërveprim për shumë nga sistemet e saj ushtarake.

Por kontigjenti evropian i NATO-s, përbëhet ende nga 28 ushtri të veçanta. Mund të jetë e tepërt t’u kërkohet kombeve sovrane të heqin dorë nga kontrolli i ushtrive të tyre individuale (edhe pse vendet evropiane kanë qenë në gjendje t`a bëjnë këtë në fusha të tjera, si ajo e monedhave, përmes Bashkimit Evropian), por një NATO e reformuar, do të ishte një aleancë ku Evropa duhet të ketë një forcë të përbashkët ushtarake, më të unifikuar dhe të integruar midis kombeve të saj anëtare. Në veçanti, NATO duhet të miratojë konceptin dhe të zbatojë komandën, kontrollin dhe komunikimin plotësisht të rrjetëzuar, i cili është jetik në një epokë dixhitale.

Një pjesë tjetër e problemit, është se NATO ka zgjedhur të ndërmarrë operacione jashtë zonës së saj të interesit, gjë që shmang vëmendjen nga misioni i saj kryesor – mbrojtja kolektive kundër kërcënimeve të drejtpërdrejta ushtarake ndaj Evropës.

Ashtu si lufta e përhershme në Afganistan, nuk është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA, e tillë nuk është as për sigurinë evropiane. Edhe sikur Shtetet e Bashkuara të mos duhet të sigurojnë mbrojtjen e Evropës, kjo nuk do të thotë që SHBA duhet të braktisin NATO-në fare.

Një prani sado e vogël ushtarake, mjafton për të dëshmuar angazhimin e Amerikës ndaj NATO-s. Por në vend se të ishte vija e parë mbrojtëse për Evropën – siç ishte gjatë Luftës

së Ftohtë dhe mbetet e tillë edhe sot – pjesa më e madhe e mbështetjes ushtarake amerikane do të ishte si një ekuilibër i mundësisë së fundit, që është i gatshëm dhe i aftë të reagojë

me një forcë të madhe për mbrojtjen e Evropës nëse kjo është e nevojshme.

Presidenti i zgjedhur Biden u ka thënë udhëheqësve të huaj se “Amerika është rikthyer”. Por të jesh rikthyer, nuk do të thotë të kthehesh në NATO-n para-Trump, dhe bazuar në një paradigmë të vjetër. Në vend të kësaj, si president, ai duhet të drejtojë një ripërtëritje të NATO-s për botën me të cilën përballet sot aleanca.

Përktheu Alrin Goce për abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!