Pse humbën raundin e parë zgjedhor Albin Kurti dhe Zoran Zaev?

schedule17:14 - 22 Tetor, 2021

schedule 17:14 - 22 Tetor, 2021

Dy shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, në të njëjtën ditë mbajtën raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme. Edhe në Kosovë edhe në Maqedoninë e Veriut, pushteti u përball me debakël në raundin e parë zgjedhor, kurse opozita shënoi rezultat të kënaqshëm.

Vetëvendosja në Kosovë si duket ka një figurë autoritet të pakontesueshëm, atë të Albin Kurtit. Kur votohet për Kurtin, shumica absolute e kosovarëve nuk kanë dilema. Mirëpo kur votohet për kandidatë të kësaj partie veç e veç, siç janë zgjedhjet lokale, autoriteti i Kurtit nuk vjen aq në shprehje.

Po ashtu në zgjedhje lokale votohen edhe figurat e kandidatëve, e jo partia. VV e impresionuar nga fitorja e madhe në zgjedhjet parlamentare, në disa komuna nuk i kushtoi rëndësi të mjaft figurës së kandidatëve për kryetarë komune, e bindur se me cilin do që të garojë, fitoren e ka të sigurt. U pa që kjo është e gabueshme, shkruan Zhurnal.

Sidoqoftë VV ka numër më të madh votash në nivel shtetëror, por vërehet qartë se për fitore absolute si në zgjedhjet e kaluara, i nevojiten edhe votat e diasporës së numërt kosovare. Diaspora u mobilizua në zgjedhjet parlamentare, duke i parë si kyçe për caktimin e drejtimit në të cilin do të lëvizë politika shtetërore e vendit, mirëpo në zgjedhje lokale nuk tregoi interes aq të madh, duke u nisur nga logjika se kryetarët e komunave nuk ndikojnë direkt në kursin e politikës shtetërore, veçanërisht kundrejt Serbisë.

Tani vjen raundi i dytë zgjedhor dhe VV me një mobilizim të shtuar mund të fitojë Prishtinën dhe disa komuna tjera të rëndësishme, për të ruajtur legjitimitetin në nivel qendror. Në të kundërtën, hapja e temës së zgjedhjeve të parakohshme do të jetë e pashmangshme, ose VV do të jetë e detyruar të futet në pazare për bashkëqeverisje me partitë tjera, me çka do të fillojë të digjet kaptali i saj politik, si subjekt që nuk bën kompromis me parti të cilat i ka akuzuar si të kriminalizuara, shkruan Zhurnal.

Po pse humbi zgjedhjet pushteti në Maqedoninë e Veriut?

Përgjigja në këtë pyetje është pak më e ndërlikuar se në Kosovë, sepse pushteti në Maqedoninë e Veriut është i ndarë në dy pjesë-pjesa shqiptare dhe ajo maqedonase. Edhe rezultatet që i arritën në zgjedhje janë të ndryshme-pjesa shqiptare e pushtetit (BDI) shënoi fitore në raundin e parë, por që nuk dihet nëse do ta vulosë edhe në raundin e dytë.

Sa i përket rezultatit të dobët “pjesës maqedone” të pushtetit, respektivisht LSDM-së, atëherë edhe këtu mund të radhiten disa shkaqe kryesore si në Kosovë.

Fillimisht, është e qartë se LSDM bëri gabm që i nuk gjeti gjuhë të përbashkët me disa partner të koalicionit për të garuar bashkë që në raundin e parë, sepse është pikëpyetje e madhe nëse fuzionimi do të mund të ndodhë tani në raundin e dytë. Kurse votat e tyre mund të jenë vendimtare në shumë komuna, duke filluar nga qyteti i Shkupit, komunat Qendër e Karposh, në Manastir dhe në shumë komuna tjera. Nëse Zaev arrin me sukses t’i “rreshtojë” këto parti pas LSDM-së, kthesa pozitive për LSDM-në në raundin e dytë zgjedhorë nuk është diçka aq e paarritshme sa dukej në fillim, shkruan Zhurnal.

Si duket LSDM e ka detektuar se edhe konformimzmi i anëtarëve dhe simpatizuesve të vetë e ka sjellur partinë në situatë që në vend se për fitore, në raundin e dytë të angazhohet për zbutje të rezultatit, eventualisht barazim. Kjo për nga strategjia e re e lideri të LSDM-së, kryeministrit Zaev, i cili qartë paralajmëron se nëse partia e tij humb Shkupin, atëherë ai do të tërhiqet nga posti kryeministror. Me këtë Zaev ua bën me dije anëtarësisë se nëse nuk dëshirojnë që prapë të kalojnë në opozitë, duhet të angazhohen më tepër për të fituar edhe zgjehdjet lokale, e veçanërisht në Shkup.

Njëkohësisht Zaev duhe t’i mbajë mobilë edhe votuesit shqiptarë, që në rrethin e dytë të dalin në të njëjtin numër, ose numër më të madh. Këtë ai po mundohet ta bëjë duke i paralajmëruar për “politikat antievropiane” që mund t’i kthejë VMRO-DPMNE-ja./ Zhurnal.mk