Nga Matthew Rozsa “Salon”
Teksa gjigantët e farmaceutikës Moderna dhe Pfizer/BioNTech, njoftuan vaksinat e tyre të suksesshme anti-Covid muajin e kaluar, pandemia hyrë në një kapitull të ri të historisë së saj. Në vend se ekspertët e shëndetit publik të pyesin se kur do të jetë i disponueshëm një trajtim mjekësor efektiv, synimi tashmë është vaksinimi i sa më shumë njerëzve.
Nëse kjo gjë nuk do të ndodhë, raca njerëzore nuk do t`a arrijë dot“imunitetin e tufës”,
dhe koronavirusi i ri mund të na mundojë për breza të tërë. Mjerisht, jo të gjithë mund të vaksinohen menjëherë, prandaj në fazat e para të vaksinimit, përparësi po u jepet punonjësve të kujdesit shëndetësor, të moshuarve në azile, oficerëve të policisë, zjarrfikësve, mësuesve, dhe punonjësve në supermarkete.
Megjithatë, që të zhdukin plotësisht koronavirusin, vaksinat do të duhet të shpërndahen më gjerësisht. “Të gjithë shpresojmë të vaksinojmë diku tek 70-75 për qind të popullsisë, që do të garantojë imunitetin e tufës”- tha për ‘Salon’ dr.Georges Benjamin, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Amerikane të Shëndetit Publik.
Ndërkohë dr.Monica Gandhi, doktoreshë e sëmundjes infektive dhe profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë në San Françisko, i referua udhëzimeve të CDC për shpërndarjen e vaksinave në disa faza. Ajo shprehet se kjo është një fushatë shumë ambicioze dhe e shpejtë e shpërndarjes, duke e krahasuar me fushatën e vaksinimit kundër sëmundjes së lisë në vitin 1947.
Në atë kohë, 6.350.000 qytetarë u vaksinuan vetëm në qytetin e Nju Jorkut në më pak se 1 muaj. “Tani jemi në vitin 2020, dhe kemi kemi aftësi logjistike shumë më të mëdha. Ne mund t’i ngrijmë vaksinat dhe t’i transportojmë ato kudo, dhe nuk ka asgjë më të mirë sesa vaksinimi i njerëzve. Për këtë arsye, unë jam e bindur se kjo fushatë do të kryhet shumë shpejt”- thekson ajo.
Ndërkohë, Benjamin bëri një paralele me shpërndarjen e vaksinave kundër poliomelitit në vitin 1956, duke argumentuar se një nga cilësitë thelbësore që e bëri atë fushatë të suksesshme ishte fakti që njerëzit më me ndikim në shoqëri u vaksinuan publikisht.
“Ndikuesit kanë shumë rëndësi për sa i përket bindjes së qytetarëve për t’u vaksinuar. Në atë kohë këngëtari i njohur Elvis Presley u vaksinua drejtpërdrejt në televizion, gjatë emisionit shumë të ndje kurjo vetëm në SHBA “Ed Sullivan Show”.
Richard Horton, kryeredaktori i revistës mjekësore “The Lancet”, e ka vënë theksin tek diçka e ngjashme në një editorial të fundit, duke theksuar ndër të tjera se Organizata Botërore e Shëndetësisë do të luante në atë kohë një rol kryesor që vaksina e lisë të shpërndahej gjerësisht.
“Megjithëse agjencia nuk mund t’i detyronte vendet t`a merrnin seriozisht çrrënjosjen e lisë, udhëheqja e saj morale ishte e rëndësishme. Stafi i OBSH-së nuk shërbente vetëm si këshilltarë. Ata ishin avokatë të flaktë të procesit.
Agjencia e drejtoi fushatën globale të vaksinimit duke krijuar një program të veçantë me objektiva specifike. U vendosën objektiva të qarta. Synimi përfundimtar ishte zhdukja e sëmundjes. Por rrugës, u vendosën objektiva dytësorë, siç ishte plotësia e raportimit”-shkruan Horton.
Është e vështirë të llogaritësh se sa jetë do të shpëtojë vaksinimi nga Covid-19 që sapo ka nisur.“Ka shumë elementë tek kjo çështje”- thotë Benjamin Salon për ‘Salon’, duke theksuar se është e vështirë të parashikosh saktësisht se sa jetë do të shpëtojnë vaksinat.
Duke nënvizuar se është optimist se “me kalimin e kohës, vaksinat do të kenë një ndikim të rëndësishëm në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë”, ai theksoi se suksesi i vaksinimeve masive do të varet nga numri i njerëzve që vaksinohen, se sa shpejt do të shpërndahen vaksinat, infrastruktura logjistike e Amerikës, dhe sesa njerëzit do të vazhdojnë të zbatojnë masat e kujdesit si dinancimit social apo maska.
Sa i përket vetë vaksinës, dr.Russell Medford, drejtues i Qendrës për Inovacionin Shëndetësor Global dhe Qendrën Globale të Koordinimit të Krizave Shëndetësore, tha se amerikanët duhet të ndihen të sigurt për efektivitetin e saj.
“Amerikanët duhet të presin që të kenë një mbrojtje në masën 95 për qind nga shfaqja e simptomave apo e ndërlikimeve nga Covid-19, pasi të kenë marrë që të dyja dozat si të vaksinës së Moderna-s apo Pfizer.
Megjithatë, ne ende nuk e dimë nëse vaksinimi parandalon bartjen e virusit në trup, duke paraqitur kësisoj një kërcënim për infektimin e të tjerëve. Për momentin, që të gjithë amerikanët që vaksinohen duhet të vazhdojnë të praktikojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës dhe distancimin social”- tha Medford.
Eksperti shtoi se rritja aktuale e shpejtë e rasteve të reja, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, nuk do të ndikohen menjëherë nga përdorimi i vaksinës. Por sa më shpejt që vaksinohen amerikanët, e kombinuar kjo edhe me mbajtjen e maskave dhe distancimin shoqëror, aq më i madh dhe më i shpejtë do të jetë ai ndikim.
Megjithatë, ai theksoi se duhet të vaksinohen të gjithë, dhe duke pasur parasysh efektivitetin 95 për qind të vaksinave Pfizer dhe Moderna, transmetimi i virusit SARS-CoV-2 brenda popullatës amerikane, së bashku me shtrimet në spital dhe vdekjet nga Covid-19, do të bjerë në mënyrë drastike edhe pse jo plotësisht. Qeveria amerikane ka aktualisht në dispozicion 200 milion doza të vaksinave Pfizer dhe Moderna, të cilat mund të përdoren për të vaksinuar 100 milion njerëz./Përktheu: Alket Goce-abcnews.al