Pse gjithë ky interes për arsimin profesional? Zv.ministrja e Financave: Politikat arsimore e nxisin rritjen e këtij sektori

schedule18:39 - 15 Shtator, 2023

schedule 18:39 - 15 Shtator, 2023

TIRANË- Arsimi profesional në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme vitet e fundit. Duke u konsideruar një arsim më pranë tregut të punës, shumë nxënës e kanë parë këtë arsim si një rrugë të shpejtë për të pasur një zanat në jetën e tyre.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, thotë se në fushën e arsimit profesional ka pasur përshtatje mes kërkesës dhe ofertës dhe kjo ka bindur nxënësit ta zgjedhin atë.

“Arsimi profesional është lidhur me një imazh jo të mirë mbase e lidhur edhe me të kaluarën e arsimit profesional, por ndërkohë me situatën që paraqitet sot është krejt ndryshe. Ky është një sektor, i cili vitet e fundit është reformuar dhe ka pasur në qendër analizën e thelluar të tregut dhe sektorët e ndryshëm të ekonomisë, për të pasur një ndërthurje mes kërkesës dhe ofertës në treg. Janë bërë investime në infrastrukturë dhe në kurrikula, kjo në funksion të përputhje mes kërkesave të tregut dhe ofertës që mund të përgatitet nga arsimi profesional. Në këtë sektor ka një prezencë të madhe të BE, të qeverisë së Zvicrës dhe Gjermanisë, që janë dy shtete që kanë sisteme model të arsimit profesional”, tha ajo.

Gjatë intervistës në “Special Report”, Majnani tha se numri i regjistrimeve në arsimin profesional ka pësuar një rritje me të paktën 5 %, krahasuar me vitin e shkuar.

“Ajo që kemi vënë re është një rritje e interesit për arsimin profesional. Janë 4300 të regjistruar në klasat e mesme dhe krahasuar me një vit më parë ka një rritje prej 5%”, shtoi Manjani.

Por pse po kërkohet kaq shumë arsimi profesionale, për këtë zëvendës ministrja e Ekonomisë u shpreh se kjo është një rrugë më e shpejtë për të gjetur një punë dhe sigurisht krijon vijueshmërinë në sigurimin e të ardhurave.

Ajo theksoi se politikat shtetërore, po e  nxisin ketë fushë duke ofruar dhe bursa studimi për nxënësit që duan të marrin një zanat dhe të dalim më shpejt në treg.

“Në momentin që mbarojnë arsimin profesional dhe janë rreth 60% e tyre, që hyjnë në tregun e punës rreth gjashtë muaj pas përfundimit të shkollës. Janë disa bursa, janë bura e meritës. Ka 50% bursë për të gjitha vajza që ndjekin arsimin profesional pasi vihet re një disbalancë gjinore”, tha ajo./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!