Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj është ndalur te rezervat që ka Fondi Monetar Ndërkombëtar për bitcoinin si kriptomonedhë, duke thënë se duhet rregullim i tregut të kriptomonedhave. Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Adrian Civici ka theksuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, se pasiguritë për bitcoinin janë krijuar nga përdorimi masiv i tij, dhe kjo ka bërë që jo pak herë të dalë jashtë kontrollit dhe të shkaktojë prishje të tregjeve, si pasojë kjo është ndër frikrave më mëdhaja të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Për sa kohë një institucion vendor dhe qeveritë e vendeve nuk shprehen për ta mbrojtur, një institucion ndërkombëtar siç është FMN-ja nuk mundet dot sepse ka një politikë këshilluese dhe jo vendimmarrëse. Ajo këshillon qeveritë në këtë rast dhe duke pasur këtë treg me luhatje kaq shumë të mëdha, atëherë dalim tek ajo analiza e parë, një treg i pasigurt dhe luhatje të mëdha e shtyn testin e vendimmarrjes për ta rregulluar tregun, por njëkohësisht nxit dhe individët që duan të investojnë në këto tregje dhe pikërisht për faktin e kësaj mungese të këtij kontrolli”, tha Nunaj.
“Në misionin e saj, FMN quhet kujdestari i stabilitetit botëror dhe natyrisht futja e kriptomonedhave dhe qarkullimet në nivelet shumë të larta jashtë kontrollit dhe brenda mundësive që të ketë spekulime, apo prishje të tregjeve makroekonomik për vende dhe për tregje të tëra, natyrisht që del jashtë mundësisë për t’u kontrolluar dhe natyrisht është frika më e madhe e objektivit për të cilin është krijuar vetë FMN. Edhe kjo është arsyeja pse FMN apo banka qendrore, apo grupime të shteteve të veçanta po kërkojnë që ta disiplinojnë, por ka dhe një element tjetër, që kriptomonedhat duke qene lehtësisht të gjurmueshme ose të pagjurmueshme, krijojnë mundësi për transaksione ilegale”, u shpreh Civici./abcnews.al