Pse është kaq e rëndësishme vitamina D? Albana Daka shpjegon si ta kuptoni që keni mungesë

schedule12:25 - 31 Tetor, 2022

schedule 12:25 - 31 Tetor, 2022

Nutricionistja Albana Daka, në rubrikën “Abc-ja e Shëndetit” ka folur për vitaminën D. Ajo ka shpjeguar pse është kaq e rëndësishme për trupin e njeriut. Daka ka treguar edhe rrisqet që krijon mungesa e vitaminës D për sëmundje të ndryshme.

“Vitamina D është e rëndësishme sepse merr pjesë në mirëmbajtjen e disa sistemeve. Derisa disa dekada më parë, vitamina D njihej thjesht si vitamina kryesore për të patur kocka të forta. Pikërisht njihej vetëm për këtë, thuhej që fëmijët që nuk merrnin që nga lindja sasinë e duhur fillonin shenjat e rakitizmit, që vinte dekada më parë nga kequshqyerja e nënës në zonat rurale me anë ekonomike thellësisht të ulët.

Vitamina D është elementi kryesor që merr pjesë në metabolizmin e kalciumit që është nga elementët kryesor të kockës dhe të fosforit.

Thuhet që një person me nivele optimale të vitaminës D ka rrisqe më pak për t’u sëmurur nga sëmundjet kardiovaskulare, nga hipertensioni, diabeti, rritja e niveleve të yndyrës. Pra, vitamina D merr pjesë në mirëmbajtjen e shëndetit të organeve dhe të sistemeve në organizëm. Ne nga ana tjetër dimë se rreth 80-85% e vitaminës D e marrim në formën ndërmjet diellit dhe rreth 10-20% vjen nga regjimi ushqimor”, u shpreh ajo.

Më tej, mjekja zbuloi se si  mund ta kuptoj një person se ka mungesë të vitaminës D në trupin e tij.

“Shenjat janë pak komplekse, pasi ngatërrohen gjithmonë edhe me praninë e anemisë apo me problematika të tjera të organizmit. Fillimisht një person i tillë ka lodhje të muskujve, ka dhimbje të kyçeve dhe të kockave të gjata, i themi ne, pra të gjymtyrëve të gjatë, të parakrahut, të kërcirit. Ka lodhje kronike, ka një përqendrim jo shumë të mirë mendor. Pra, të gjitha këto janë disa nga shenjat që na tregojnë se kemi vitamin D të ulët, por mund të jenë në rastin edhe të pranisë së anemisë. Por për të dyja rastet është i pranishëm ‘check up’ vjetor për të kuptuar se në ç’nivele e kemi vitaminën D. një herë në vit është mëse i mjaftueshëm, është i rëndësishëm ai i vjeshtës, për ti paraprirë dimrit se ulet sasia e diellit”, tha Daka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!