Analisti serb dhe themeluesi i Forumit për Marrëdhëniet Etnike, Dushan Janjic, në një intervistë për “Danas” ka folur për emërimin e Stuart Peach si emisar i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Janjic thotë se emri i përzgjedhur nga Britania e Madhe është i lavdërueshëm dhe se tashmë BE-ja duhet të shqyrtojë seriozisht përzgjedhjen e personelit të saj, raporton Express.
Ai tutje ka shpjeguar se është hera e parë që Britania e Madhe ka emisarin e saj për rajonin, derisa shton se ideja e emisarit për herë të parë është propozuar nga Joe Biden në vitin 2015 por një ide e tillë ishte kundërshtuar kategorikisht nga Serbia në vitin 2016.
Janjic thotë se tashmë ka disa të dërguar për rajonin dhe se gjithçka po bëhet me qëllim të parandalimit të konflikteve. Derisa ka porositur BE-në që ti qaset më seriozisht Ballkanit Perëndimor.
“Është e qartë se ka një koordinim të politikave të Uashingtonit dhe Brukselit dhe tani Londrës. Fakti që ka të dërguar të posaçëm për një rajon të caktuar tregon se rajoni, për të përdorur një term mjekësor, ka inflamacion. Dhe mjekët duan të shohin se çfarë është. Në këtë rast, si në SHBA, kemi një të dërguar special dhe një sërë ambasadorë vendas, ata që janë tashmë atje dhe ata që do të vijnë. Kur krahason ekipin amerikan dhe të dërguarin britanik me BE-në, ata janë një klasë më e lartë. Ata janë gjithashtu më të vështirë për sa i përket karrierës, njohurive dhe kapaciteteve sesa Lajçak (Miroslav Lajcak, i dërguari special i BE-së për Ballkanin Perëndimor).Pra, BE-ja do të duhet të mendojë se kë përzgjedh për të dërguar special dhe të ndryshojë seriozisht qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Janjic.
Janjic përmend edhe fjalinë e kryeministrit britanik i cili tha se rajoni është në rrezik të një lufte të armatosur dhe sipas analistit serb, emërimi i emisarëve është në shërbim të parandalimit të konflikteve.
“Kjo është një mundësi për ta parandaluar atë përmes diplomacisë, negociatave dhe bisedimeve me liderët vendorë. Këtu zgjidhen njerëz që mund të komunikojnë me liderët aktualë dhe që kanë argumentet e duhura në ato komunikime. Është shumë e qartë për ta se opsioni nuk është Rusia. Nëse doni me Rusinë, atëherë jeni fshirë për BE dhe NATO. Dhe kjo është ajo që britanikët mund të bëjnë më së miri – përfundon Janjic./Express