Pse Britania vendos në plan të parë paratë përpara demokracisë

schedule10:03 - 4 Shkurt, 2022

schedule 10:03 - 4 Shkurt, 2022

Nga Oliver Bullough “Unheard

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në fillim të kësaj jave, Liz Truss i paralajmëroi oligarkët rusë se nuk do të kenë më vend “ku të fshehin” paratë e tyre të pista në Londër. Një deklaratë kjo që është shumë e çuditshme, pasi përfshin pranimin e nënkuptuar se paratë e tyre janë tashmë aty.

Por kërcënimi i kleptokracisë së Putinit ka depërtuar në Britani shumë kohë përpara se ai të fillonte të grumbullonte divizione të blinduara në kufirin me Ukrainën. Megjithatë, paratë e oligarkëve kanë vazhduar të hyjnë në vend, Britania ka vazhduar të mirëpresë në bankat e saj pasurinë e vjedhur të miqve të Putinit, ndërsa premtimet e përsëritura për ta adresuar si duhet këtë problem nuk kanë çuar gjëkundi.

Ky dështim është një turp kombëtar, dhe ka nxitur një sërë teorish konspirative:se konservatorët britanikë blihen dhe paguhen nga rusët; se Kremlini i shantazhon ministrat e qeverisë Johnson për të vazhduar në të njëjtën linjë si më parë; se City i Londrës ka një linjë të veçantë telefonike në godinën e parlamentit.

Megjithatë, historia e vërtetë është shumë më alarmante. Por ajo kërkon njëfarë shtjellimi, sepse nuk mund ta kuptoni dashurinë e fortë që ka Londra për paratë ruse, pa kuptuar historinë se si rilindi ky qytet si një qendër financiare dhe si një motor i ekonomisë sonë kombëtare.

Këto janë në fakt e njëjta histori. Vetëm pasi ta kuptoni këtë, mund të kuptoni se përse qeveritë e njëpasnjëshme britanike, kanë qenë kaq shumë nguruese për të larguar paratë e oligarkëve. Ato kanë luajtur rolin e mjekëve, që shohin një kancer të rritet gjithnjë e më shumë në një organ jetik:operacioni do ta gjymtojë pacientin e tyre, ndaj ata e lënë kancerin aty, edhe pse në fund ai do ta vrasë të sëmurin.

Por zgjidhja e këtij problemi nuk mund të shtyhet më gjatë. Në rast se duam vërtet ta shpëtojmë demokracinë britanike, ne duhet të përdorim “bisturinë” kundër një “tumori” që është “mbjellë” që në vitin 1955.

Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik kishte një problem. Rivalja kryesore, Shtetet e Bashkuara i kishin dhënë fund Luftës së Dytë Botërore si qendra e padiskutueshme e ekonomisë botërore. Nëse BRSS donte të bënte tregti me botën, i duheshin dollarë. Dhe në atë kohë, sistemi financiar global ishte më pak i globalizuar.

Për të siguruar një kontroll demokratik mbi pasurinë, qeveritë vendosën kufizime mbi paratë, në disa mënyra që janë të vështira të kuptohen sot. Për shembull, ata kufizuan sasinë e parave që mund të zhvendosnit përtej kufijve, apo se çfarë normash interesi mund të vendosnit për kreditë që kishit marrë.

Kjo donte të thoshte se nëse ju paratë i kishit në dollarë, ju do t`i mbanit ato në Shtetet e Bashkuara, aty ku ato do të ishin subjekt i kontrollit të Rezervës Federale. Por zyrtarët sovjetikë shqetësoheshin se nëse tensionet e Luftës së Ftohtë do të përshkallëzoheshin,dhe nëse dollarët e tyre do të ishin në Nju Jork, qeveria amerikane mund t’i sekuestronte, duke e shkëputur kësisoj Moskën nga tregjet ndërkombëtare.

Edhe City i Londrës kishte gjithashtu një problem, megjithëse të një natyre tjetër. Britania u shpërbë si perandori, me një varg të madh borxhesh të mbetura nga financimi i luftës. Flukset e kapitalit që kishin mbështetur të ardhurat e financuesve ishin tkurrur, dhe stërlina e kishte humbur rolin e saj si monedha kryesore në botë.

Bankat ishin në gatishmëri, dhe britanikët e rinj dhe ambiciozë, preferonin të punonin në universitete, industri ose qeveri. Zgjidhja e problemeve midis dy fuqive të mëdha, erdhi falë dy bankave:Moska Narodny (MNB), e cila ishte në pronësinë e sovjetikëve, por me bazë në Londër, dhe Midland, një sfidant i pafuqishëm dhe i paaftë për të tërhequr depozitat që i nevojiteshin për të konkurruar me rivalë më të konsoliduar.

MNB ia huazoi dollarët e saj Midland, e cila i përdori për të blerë paund, me të cilat mundi të zgjerojë biznesin e saj në Mbretërinë e Bashkuar. Këto dy banka sapo kishin shpikur mjetin financiar më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë:eurodollarin. Duke kryer transaksione me dollarë jashtë Shteteve të Bashkuara, ato mbajtën avantazhet e monedhës amerikane, ndërsa eliminuan anën e saj negative:dorën e rëndë të qeverisë amerikane.

Ndërsa stërlina u zhvlerësua akoma më tej, gjithnjë e më shumë banka londineze nisën ta vlerësojnë këtë formë të re monedhe, e cila mund të lëvizte pa pengesa përtej kufijve, mund të tregtohej lehtësisht, dhe ishte plotësisht e parregulluar.

Ata përdorën paundin për transaksionet e brendshme, por mbanin llogari të ndryshme për eurodollarët, të cilat i përshkruanin me një fjalë të huazuar nga ligji detar për të përshkruar diçka jashtë mundësive të qeverisë:offshore.

Shumë shpejt edhe banka të tjera të ardhur nga Japonia, Evropa kontinentale dhe nga Shtetet e Bashkuara e vunë re këtë inovacion, dhe nisën të përfitojnë. Eurodollari mund të ishte shfaqur pothuajse kudo, dhe versionet embrionale u shfaqën në Kanada, Zvicër dhe gjetkë në Evropë.

Por në ato vende qeveritë e njohën kërcënimin që paraqiste për sovranitetin e tyre valuta e lirë, dhe vepruan shpejt. Kujtimet e Depresionit të Madh dhe të mjerimit që shkaktoi lufta ishin ende të freskëta, ndaj politikanët demokratë donin të siguroheshin që t’i vendosnin gjithmonë njerëzit para parave.

Por në Londër, Banka e Anglisë e pëlqeu idenë e qarkullimit të lirë të parasë, dhe kështu ndodhi. Në atë kohë, tregu financiar vlente rreth 5 miliardë dollarë. Brenda 4 viteve, ai arriti në 13 miliardë dollarë. Deri në fundin e viteve 1960, ajo kishte një vlerë prej 40 miliardë dollarësh.

Ai ishte momenti kur vendet e tjera filluan të dorëzoheshin, dhe të anulonin përpjekjet e tyre për të ndaluar largimin e bankave të tyre jashtë vendit. Tani, ky treg është më i madhi në botë:të gjithë dollarët janë në kompanitë off-shore, po ashtu edhe paundët, eurot, frangat zvicerane, dhe me disa përjashtime gati çdo monedhë tjetër në botë.

Por ky model biznesi nuk u ndal me kaq. Profesionistët e financave kërkuan vende, qeveritë e të cilave nuk kishin kufizime të forta mbi pasurinë. Në Ishujt Kajman, amerikanët gjetën një strehë të këndshme për të gjitha paratë, mbi të cilat ata nuk donin të paguanin taksa, dhe ky arkipelag dikur i panjohur i peshkimit të breshkave është tani një qendër financiare e klasit botëror.

Në Ishujt e Virgjër Britanikë, manjatët nga Kina dhe kriminelët nga Amerika Latine gjetën kompani të shumta për të fshehur pronësinë e aseteve të tyre. Ndërkohë në Britani, breza të tërë oligarkësh- nga vendet e pasura me naftë të Gjirit, nga ish-kolonitë e Azisë dhe Afrikës dhe natyrisht, nga vendet postkomuniste të Evropës Lindore, gjetën një pritje të ngrohtë.

Ajo që ne u ofrojmë atyre është një parajsë: jo vetëm një parajsë fiskale, por një parajsë të gjithçkasë. Ata mund të blejnë këtu në Britani prona, dhe nuk kanë nevojë t’i tregojnë askujt për këtë, sepse mund ta fshehin pronësinë e tyre pas një kompanie guackë.

Ata mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në një nga shkollat ​​tona të klasit botëror, të blejnë vepra arti në një nga shtëpitë tona të ankandeve, dhe të takojnë miqtë e tyre në një restorant luksoz ndërsa gratë e tyre blejnë në Harrods. Nëse një rival në biznes ankohet për ta, ata mund ta zgjidhin mosmarrëveshjen në gjykatën tonë tregtare.

Ata mund të blejnë çdo gjë në Londër, dhe falë mënyrës se si politikanët i kanë lënë thatë agjencitë tona të zbatimit të ligjit, askush që ka fuqinë të bëjë diçka nuk do ta dijë kurrë nëse pasuria e oligarkëve rusë është fituar me ndershmëri.

Politikanët britanikë janë ngritur me radhë njëri pas tjetrit për të këmbëngulur se në Londër nuk ka vend për para të dyshimta. Por pastaj fillon lobimi. Secili prej këtyre sektorëve – financa, drejtësia, agjencitë e pasurive të patundshme, shtëpitë e ankandeve, arsimi – fillojnë të debatojnë dhe kërkojnë përjashtime. /abcnews.al

*Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!