Pse Azia Jugore është vatër globale e ndotjes?

schedule23:29 - 18 Nëntor, 2023

schedule 23:29 - 18 Nëntor, 2023

Nivelet toksike të ndotjes së ajrit janë duke çrregulluar jetën e miliona njerëzve në Azinë e Jugut.

Kjo situatë ka rezultuar me mbyllje të shkollave, e ka penguar zhvillimin e ngjarjeve sportive dhe i ka detyruar qeveritë që t’i shtojnë thirrjet që banorët të qëndrojnë në ambiente të brendshme, për t’i shmangur problemet shëndetësore.

Rritja e ndotjes së ajrit është problem me të cilin përballen çdo vit vendet e Azisë Jugore, sapo të afrohet dimri dhe i ftohti.

Azia Jugore është bërë vatër globale e ndotjes së ajrit, pasi studimet tregojnë se katër prej shteteve me më shumë ndotje, dhe nëntë prej dhjetë qyteteve më të ndotura janë në këtë rajon.

Pse ndotja në Azinë Jugore është më e rëndë sesa në vendet tjera?

Shtetet në Azinë Jugore janë përballur me rritje të industrializimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së popullsisë në dy dekadat e fundit, duke rezultuar kështu me rritje të kërkesës për energji dhe naftë të papërpunuar.

Ndonëse industria dhe makinat janë ndotëse në shumicën e vendeve, në Azinë Jugore ekzistojnë edhe disa kontribuues unikë, përfshirë përdorimin e lëndëve të ngurta djegëse për gatim dhe ngrohje, djegien e trupave të vdekur dhe djegien e tokave bujqësore pas korrjeve.

Shembull, rreth 38 për qind e ndotjes në Nju Delhi këtë vit, është shkaktuar nga djegia e kashtës – praktikë që përsëritet çdo vit pas korrjes së orizit. Njëjtë ndodh edhe në provincat e tjera të Indisë, Punxhab dhe Harjana.

Edhe rritja e numrit të makinave nëpër rrugët e këtij rajoni e ka rritur problemin me ndotje.

Shembull, në Indi dhe Pakistan, numri i makinave është rritur katërfish prej fillimit të viteve 2000.

Nju Delhi, i renditur si kryeqyteti me ndotjen më të madhe të ajrit në katër vjetët e fundit – nga grupi zviceran IQAir – i ka 472 makina për 1.000 banorë, sipas të dhënave qeveritare.

Kjo nënkupton që gati tetë milionë makina kanë lëvizur nëpër rrugët e Nju Delhit deri më 2022.

Pse nuk po funksionojnë përpjekjet për ta zvogëluar ndotjen?

Ndonëse shtetet e Azisë Jugore po tentojnë ta zvogëlojnë ndotjen e ajrit, duke hartuar plane për menaxhim të kualitetit të ajrit, duke instaluar më shumë monitorë që tregojnë për ndotje, dhe shtuar thirrjet për përdorimin e burimeve alternative të energjisë, rezultate të dukshme nuk ka ende.

Ekspertët kanë thënë se problemi qëndron te mungesa e koordinimit për kontroll të ndotjes mes shteteve fqinje.

Grimcat e ndotjes mund të udhëtojnë qindra kilometra, sipas disa studimeve, duke e zgjeruar problemin përtej vendit të origjinës.

Shembull, rreth 30 për qind e ndotjes në qytetet më të mëdha të Bangladeshit, burimin e ka në Indi.

Ndotja atje transportohet përmes erërave të forta që lëvizin prej veriperëndimit në juglindje.

Masat për të vepruar vetëm në nivel qyteti, apo shteti, kanë pasur ndikim të kufizuar.

Cila është zgjidhja?

Shtetet në gjithë Azinë Jugore do të duhet t’i koordinojnë përpjekjet, nëse dëshirojnë ta zgjidhin problemin me ndotjen në këtë rajon.

Ato duhet të bashkëpunojnë për monitorim dhe të marrin vendime të përbashkëta lidhur me politikat vijuese.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet e këtij rajoni do të duhet të balancohen dhe të përshtaten sipas kushteve lokale.

Përveç kësaj, fokusi duhet të zgjerohet për t’i përfshirë edhe sektorët që kanë pasur vëmendje të vogël deri më tani, sikurse bujqësia dhe menaxhimi i plehrave.

Për ta zvogëluar djegien e kashtës, qeveritë ndoshta mund të ndajnë subvencione për makina më të mira korrjeje.

Shtetet, sikurse India, tashmë kanë nisur të ofrojnë stimuj të tillë, mirëpo kërkesa për këto makina ka qenë e kufizuar, për shkak të kostos së tyre të lartë dhe pritjeve të gjata për ata që dëshirojnë t’i marrin me qira./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!