Pse Amerika zgjodhi një të dënuar përballë një prokuroreje?!

schedule15:35 - 7 Nëntor, 2024

schedule 15:35 - 7 Nëntor, 2024

Nga Skënder Minxhozi

Fitimtari nuk gjykohet. Kështu thotë maksima që përdoret sa herë që ke përpara një fitues. Sidomos kur ai quhet Donald Trump, një njeri që ka kaluar dy votime për shkarkim në legjislativin amerikan, që ka humbur bujshëm para katër vitesh pa e pranuar rezultatin, që ka kaluar dy atentate gjatë fushatës, që ka falimentuar gjashtë herë si biznesmen, që ka mbajtur prej tetë vitesh mitingje çdo javë në çdo cep të SHBA, që ka premtuar të jetë diktator në ditën e parë si president, që ka ndërruar tre gra e është dënuar për tradhëti bashkëshortore por që lufton për familjen tradicionale, që i shkel syrin Putinin duket u betuar njëherësh se është më patrioti që ju kanë parë sytë, që ka kërcënuar deportime për miliona njerëz dhe ka mbrojtur një vizion që tremb shumëkënd. Mbi të gjitha, e këtu duket se fitoi, premton të mbushë shportën e ushqimeve dhe serbatorin e makinës për miliona familjet e thjeshta amerikane!

Trump fitoi, Harris humbi. Amerika dështoi të zgjidhte një grua presidente, çka në Evropë dhe gjetiu nëpër botë është diçka normale prej shumë vitesh. Përtej aspektit gjinor, kjo është një humbje e madhe ideologjike e të majtës në SHBA dhe që do të ketë impakt edhe në pjesë të tjera të globit. Humbi Amerika e fanatizmit transgjinor, e ambjentalizmit të kthyer në qëllim në vetvete dhe e disa sjelljeve që me kalimin e kohës u shndërruan në klishe të shpifura, ku ti mund të vendosje të ishe një herë grua e një herë burrë ose edhe “tjetër”. Humbi një vizion për botën shumë elitar e i shkëputur nga nevojat e përditshme të amerikanëve që luftonin të dilnin në fund të muajit për shkak të inflacionit dhe krizës së çmimeve. It’s the economy stupid, do të thoshte moshatari i Donald Trump, Bill Clinton!  Demokratët nuk e kuptuan luftën mes barkut dhe mendjes, prandaj nuk mundën t’jua shpjegojnë amerikanëve përse e dyta është po aq e rëndësishme sa e para. Zgjedhjet u kthyen në një debat faturash dhe çmimesh karburanti e këtu Trump i mori milionat e votave që e risollën në pushtet, ndërkohë që Harris e të tjerët qaheshin vetëm për 6 janarin dhe Hitlerin! Çfarë miopie!

Në 5 nëntor u hodh poshtë me votë masive një politikë zyrtare e SHBA që në njërën anë mbronte me armë dhe para sovranitetin e Ukrainës, e në anën tjetër armatoste me një insistim të ethshëm Izraelin në masakrat e tij të përgjakshme kundër Palestinës e Libanit. Politika e jashtme e kastruar e Biden në luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme bëri që të merrte hov edhe më fort pretendimi i Trump si prurësi i paqes në botë. Por edhe i luftës brenda në Amerikë, do të thonim ne të tjerët!

Në këto zgjedhje ra një vizion ideologjik i lehtë dhe fluturak sipas të cilit e mira do të fitojë në çdo rrethanë, sepse duhet të jetë kështu e jo ndryshe, pavarësisht nëse e ndihmojmë të fitojë ose jo. Ra një qëndrim i dyzuar e i pasigurt i mishëruar më së shumti tek pozicioni i Presidentit Biden, ndaj shumë krizave të mëdha e të vogla brenda dhe jashtë Amerikës. Kësisoj edhe kur ekonomia rritej, edhe kur benzina ulej, edhe kur vendet e punës shtoheshin me miliona, amerikani i thjeshtë nuk arrinte ta perceptonte këtë gjë sepse megafoni i madh i Trump fitonte rregullisht mbi pëshpëritjen prej murgu të plakut Biden. Amerika zgjodhi një dem të lëshuar nga zinxhirët përballë një politikani të plakur dhe një gruaje pa karizëm që kishte qëndruar katër vjet nën hijen e tij.

E majta amerikane, e pas saj mesa duket edhe ajo evropiane, duhet të rishkruajnë librin e rregullave përballë të djathtave ksenofobe e populiste që po ngrihen. Duhet të vendosin që të pranojnë më së fundi se bota që i rrethon nuk është më ajo e para. Ka ndryshuar që në 6 janar 2020 kur humbësi nuk pranoi humbjen dhe çoi jeniçerët në Uashington. Ka ndryshuar qëkur parti ekstremiste fshehin poshtë “sovranizmit” platformat e tyre përjashtuese e përçarëse. Ka ndryshuar qëkurse Amerika zgjodhi një të dënuar nga gjykatat për abuzim seksual e shkelje të ligjit zgjedhor, përballë një prokuroreje. Një të dënuari që përgatitet të falë veten me dekret presidencial sapo të hyjë në Zyrën Ovale!

E djathta amerikane që rrëzoi partinë e prindit 1 dhe prindit 2, një modë realisht e pështirë kjo, përbën një kërcënim konkret dhe të fortë për të gjitha liritë bazë të një demokracie, për lirinë e shprehjes, atë të abortit, për të drejtat e pakicave, popullsisë me ngjyrë dhe emigrantët. Nëse Biden hapi portat për miliona emigrantë të paligjshëm, e djathta fitimtare e Donald Trump po premton deportime milionëshe. Po kërkon pra të shërojë një sëmundje duke e vrarë fare pacientin. Dhe kjo formulë represive e organizimit të një shoqërie të madhe demokratike si ajo amerikane, po i ofrohet këto orë si shembull të gjitha të djathtave neofashiste të Evropës, për të rrëzuar sistemet politike të kontinentit të vjetër të cilat kanë prodhuar demokracitë liberale dhe të pasura që njohim sot.

Donald Trump bëri një epikrizë të krizës amerikane, që në shumë aspekte është reale dhe e drejtë. Por në anën tjetër receta që ai ofron për shërim është një elektroshok që merr përpara sëmundjet, viruset e bakteriet e shoqërisë amerikane, duke vrarë edhe vetë pacientin që i mbart ato. Edhe në kohë diktaturash nuk ka krim, rrugët mbahen pastër dhe qetësia publike është e siguruar. Po kjo nuk i bën diktaturat të mira. Trump ka premtuar të jetë diktator vetëm në ditën e parë të punës. Të shohim si do të gdhihet në të dytën. Ndërkohë Milorad Dodik në Bosnje ka dy ditë që feston me kapelen “Make America Great Again” në kokë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!