Në një intervistë në “News Line” në ABC News, Endrit Brahimllari, komentoi rezultatin fitues të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Ai gjithashtu u ndal edhe tek pritja që do të organizohet këtë të hënë për kandidatët në Pallatin e Brigadave.
Brahimllari u shpreh se Partia Socialiste u votua nga qytetarët, duke shtuar se pritja është edhe një falënderim për fitoren. Gjithashtu theksoi se gjatë gjithë këtij rrugëtimi PS tregoi se fokusin kryesor e kishte te qytetari dhe te agjenda europiane, duke thënë se kombinimi i listave të PS ishte në një mënyrë të tillë që i dha mundësi edhe të rinjve.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, ku qytetarët folën tashmë ka ardhur koha që të ecë përpara agjenda e qeverisë. Tani zgjedhjet përfunduan dhe qytetarët i dhanë edhe një mbështetje kryeministrit Edi Rama dhe PS. Sot qytetarët presin agjendën europiane me qëllim që nesër të kenë pasaportën europiane në dorë. Dhe për të bërë këtë gjë kërkohet ecja përpara me ritme të shpejta. Dhe gjithashtu kërkohet një gjuhë më bashkëpunuese, me qëllim që beteja politike në muajt e fushatës t’ja lërë vendin rëndësisë së qytetarëve. Duhet theksuar se sot më rëndësi ka edhe zhvillimi ekonomik i vendit dhe duhet që gjuha të jetë pozitive për të çuar përpara vendin. PS fitoi qartë për shkak të agjendës europiane. Dhe duhet thënë që qytetarët mandatuan kryeministrin Rama dhe PS pasi kanë pritshmëri shumë të mëdha. Nuk është koha për të humbur por për zhvillimin e vendit. Kemi hyrë në sezonin turistik, dhe vendi ka ecur me investimet e realizuara”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket situatës së opozitës, dhe rezultatit humbës të thellë, ai tha se opozita duhet të fokusohet tek qytetari. Gjithashtu u shpreh se mesazhet duhet të jetën për qytetarët, gjë e cila sipas tij Partia Demokratike nuk e përdori.
“Nëse mesazhet publike shkojnë krah interesit qytetar çdo faktor opozitar do ketë rëndësi për t’u rritur. Por nëse mesazhet nuk prekin interesin qytetar do të jetë shumë e vështirë. Te PS dominoi platforma europiane në raport me opozitën. Kombinimi i listave të PS ishte i tillë për t’i dhënë mundësi gjeneratës së re. Ndërsa nga krahu tjetër pamë lista për t’u mbyllur brenda listës së mbyllur. Unë besoj se sa më shumë energji pozitive të çohet nga të gjithë palët, aq më mirë do të jetë për ekonominë dhe familjet. Turizmi nuk ndahet në të majtë dhe të djathtë. Prandaj kërkohet një gjuhë pozitive që të gjithë palët të ndihmojnë individin dhe më pas të merren me hallet politike”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/