“PS po përgatitet për votën e emigrantëve”, Daci: Regjistrimi nuk është pengesë. Mund të realizohet me regjistrin e gjendjes civile

schedule18:31 - 14 Maj, 2024

schedule 18:31 - 14 Maj, 2024

Politologu Alban Daci thotë se Partia Socialiste dhe strukturat e saj po përgatiten për të mundësuar votën e emigrantëve. Në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, Daci tha se ky sinjal u përcoll edhe në takimin që kryeministri Edi Rama mbajti të dielën me emigrantët shqiptarë në Athinë.

“Vota e diasporës është një term i gabuar. Duhet të konsiderohet votë e shqiptarëve që jetojnë jashtë,  dhe nuk duhet të përjashtohet asnjë. Sa i përket ngjarjeve të fundit politike në këtë drejtim, mendoj që takimi që bëri kryeministri Rama në Athinë, edhe pse në thelb nuk ishte për votën e emigracionit. Mendoj se PS dhe Rama po përgatiten në planin e organizimit të strukturave të saj që kjo të bëhet e mundur. Ishte një sinjal i parë që PS  mund ta ketë seriozisht për ta bërë një gjë të tillë.”, tha Daci.

Ai thotë se vota e diasporës nuk duhet të konsiderohet si një garë mes palëve politike por duhet të arrihet një konsensus për realizimin e saj.

“Sa i përket konsensusit, akoma nuk është i përbashkët dhe konsensusi për votën e diasporës duhet të jetë gjithëpërfshirës, edhe të subjekteve që janë të interesuar që një gjë e tillë të aplikohet, duke pasur parasysh faktin se një ndër subjektet politike si PD e Bashës që ka propozuar dhe dërguar për diskutim në parlament, fatkeqësisht pas marrëveshjes së Rithemelimit dhe PS nuk është pjesë e këtyre diskutimeve. Por në thelb vota e diasporës është një votë e cila plotëson demokracinë shqiptarë dhe i bën më përfaqësues shqiptarët, dhe nuk duhet të konsiderohet si një garë se kush duhet ta bëjë apo jo. Në këtë këndvështrim, mendoj se jemi të vonuar. Jemi i vetmi shtet në Ballkan që nuk e kemi një të drejtë të tillë të mundshme për ta aplikuar. Kosova është bërë shtet vonë dhe ka disa zgjedhje që bën të mundur votën e atyre që jetojnë jashtë.“, shtoi ai.

Sipas tij, regjistri nuk është një pengesë për realizimin e votës së emigrantëve pasi kjo mund të arrihet nëpërmjet regjistrit të gjendjes civile të vendit.

“Duhet të bëhet se sbën vota e diasporës, por në çfarë këndvështrimi dhe cili do të jetë mekanizmi, mendoj se duhet të ndahet në dy pjesë. E para, mekanizmat juridikë që do ta mundësonin një gjë të tillë. Mendoj që për shkak të kohezionit dhe historisë së emigracionit në këto 30 vite, asnjëherë nuk do të ketë një regjistër të saktë dhe do të jetë e pamundur. Por regjistri kryesor që iu jep të drejtën atyre që të votojnë është regjistri i gjendjes civile që automatikisht iu ka dhënë edhe shtetësinë atyre. Nuk mendoj se regjistrimi duhet të ishte një pengesë ose për të bërë të mundshme në mënyrë selektive këtë gjë sepse do të ishim përsëri në kundërshtim me kushtetutën. Ose të votojmë të gjithë ose asnjë. Regjistri është fare i thjeshtë, edhe në e albania. Qytetari që do të votojë mund të bëhet me një njoftim paraprak një muaj para zgjedhjeve që të deklarojnë se ku duan të votojnë, në qendra votimi jashtë apo me postë. Kur qytetari shpreh vullnetin për të votuar dhe deklaron vendndodhjen automatikisht e ka bërë dhe regjistrimin. Nuk shoh ndonjë arsye që regjistrimi të jetë pengesë. Regjistrimi është pretekst për të mos e bërë të mundur aplikimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë. S’e kuptoj se si mund të përjashtohet ministria e Brendshme nga një gjë e tillë”, theksoi Daci./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!