Në Skraparin e Ilir Metës, Edi Rama e bëri të qartë se kush ishte pro dhe kush kundër reformës në drejtësi, që sot ka izoluar në qeli edhe vetë kreun e partisë së Lirisë.
Kryesocialisti risolli në vëmendje vitin 2017, ku siç thotë ai, opozita e atëhershme e drejtuar nga Lulzim Basha, ngritën çadrën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të sabotuar drejtësinë e re.
“Populli do harrojë se kush e donte dhe kush nuk e donte reformën në drejtësi; kush e bëri dhe kush bëri çmos ta pengojë; kush është këtu për ta garantuar më tutje dhe kush është këtu për ta përmbysur. Kur unë thosha atëherë që ata ishin të tërë të mbyllur në çadër edhe donin të sabotonin zgjedhjet, donin të merrnin peng Shqipërinë, se nuk donin Vetting-un, nuk donin reformën në drejtësi dhe unë thosha: ky është momenti ynë historik për të bërë një reformë dhe për të pasur një drejtësi që të godasë majtas dhe djathtas.”
Rama tha se barazia përpara ligjit mund të garantohet vetëm me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj, në 11 maj, në zgjedhje do të shkohet për një takim me historinë.
“Do duhet që në 11 maj të bashkohemi për të vendosur me votën tonë krijimin e një fuqie edhe më të madhe vendimmarrëse. Dhe vetëm duke e futur Shqipërinë në BE ne mund të garantojmë për brezat se barazia para ligjit bëhet e shenjtë, e paprekshme nga askush këtu dhe askujt nuk mund t’i shkojë më mendja që të përdorë votën e qytetarëve për ta bërë përsëri Shqipërinë një vend ku ligji është i fortë me të dobëtin dhe të fortët e nënshtrojnë ligjin.”
Qytetarëve u premtoi edhe ndërtimin e rrugës Berat- Skrapar. Investim ky që jo vetëm do të rrisë vlerën e tokës por do të riktheje edhe emigrantët në atdhe për të investuar.
“Në mandatin e 4 ka ardhur dhe koha e rrugës Berat-Skrapar, e cila ne synojmë që ne ta bëjmë lidhjen që sot është e vështirë. Se nuk është fortë e lehtë ta bëjmë për 30 minuta Beratin me Skraparin dhe njëkohësisht të bëjmë lidhjen e Beratit me Përmetin. Edhe kështu ju këtu me kanione të keni një destinacion turistik të Shqipërisë Edhe pastaj e zgjidhni vete sesi doni për dy orë në Janinë për dy orë në Tiranë.”
Pas Skraparit, Rama u ndal edhe në Poliçan, ku foli për investime në fushën e mbrojtjes.
“Kemi zgjidhur çështjen e atyre që ishin kontributi të industrisë ushtarake, jemi duke punuar dhe për kombinatin e Poliçanit, e kemi pjesë të planeve tona dhe jemi duke diskutuar me disa palë të interesuara dhe do të kemi edhe rezultate sepse duam që ta rihapim në kushtet kur e gjithë Europa është e mobilizuar për më shumë pika prodhimi të industrisë ushtarake.”/abcnews.al