Partia Socialiste këtë të shtunë po zhvillon Asamblenë Kombëtare ku në fokus do të jenë zgjedhjet e reja të kryetarëve socialistë në 61 bashki, ku gjithashtu pritet që anëtarët të ratifikojnë disa nga ndryshimet statutore.
Sekretari i Përgjithshme i PS, Damian Gjiknuri ka thënë se do të miratohet ndërprerja e mandatit të kryetarëve aktual të degëve të PS në 61 bashkitë e vendit dhe do të vijohet me procesin e ri.
Gjiknuri ndër të tjera në fjalën e tij hapëse ka bërë me dije se suksesi i Kongresit të PS-së dhe mikpritja që ai pati nga delegatët tregoi se ne jemi e vetmja parti që dimë të bëjmë një gjë të tillë dhe ka theksuar se PS-ja nuk ka garë me të tjerët por me veten.
“Kjo reformë i shërben rifreskimit e vetë korrigjimit, qenia gjatë në pushtet ka dhe rreziqet e veta, mund të biesh në një lloj gjumi e kurth, s’ka formulë të suksesit afatgjatë po s’pate riformim.
Ky proces që do ndjekim i shërben forcimit të organizatës jo vetëm me njerëz të ri por të bëhet një organizatë me skelet të fortë strukturor organizativ që pavarësisht garave a humbjeve në vende të caktuara të kemi parti solide që është gjithmonë gati të ringrihet apo të korrigjojë gabimet.
Do bëhet procesi i veçantë për zgjedhjen e kryetarëve të partisë, do jetë proces konkurrues, do kemi ballafaqim idesh para anëtarësisë, jo më atë mënyrën e ngushtë të propozimit të kandidatëve.
Për t’u përgatitur si duhet që ne zgjedhjet vendore të ballafaqohemi. Jam i bindur që kjo parti do jetë përsëri e pamposhtur e do i fitojë pjesën dërrmuese të bashkive pse jo të gjitha, por jam i bindur që pjesa dërrmuese do jetë prapë në drejtimin e PS por kjo do punë e duhet nisur që sot. Na pret punë intensive, kemi kohë të mjaftueshme të riorganizohemi e të ballafaqohemi me njerëzit më të mirë, të shohim ku janë problemet reale e identifikojmë njerëzit e duhur që do udhëheqin partinë”, është shprehur Gjiknuri. /abcnews.al