PS mban Berishën në Kuvend/ Qefalia: Nuk bëhet fjalë për ‘dashuri’, është zbatuar rregullorja

schedule13:35 - 27 Qershor, 2024

schedule 13:35 - 27 Qershor, 2024

Sali Berisha mungon në parlament prej gjashtë muajsh, por nuk do ta humbë mandatin e deputetit.

Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, pa praninë e mediave këtë të mërkurë, Lindita Nikolla argumentoi se mungesa e tij në seancat plenare në këtë periudhë kohore konsiderohet e arsyeshme përsa kohë ai ndodhet me një masë sigurie “arrest shtëpie” kërkuar nga prokuroria e posaçme dhe vendosur nga Gjykata e Posaçme, në të dy shkallët e gjykimit.

Deputeti i PS Xhemal Qefalia në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News foli për këtë çështje ndërsa tha se ky vendim ka të bëjë vetëm me zbatimin e rregullores së Kuvendit.

“Nuk bëhet fjalë për dashuri për Sali Berishën, por për zbatimin e rregullores së Kuvendit që e ka të e përcaktuar që kur një deputet mungon pa arsye më shumë se 6 muaj i ndërpritet mandati. Ndërsa zoti Berisha ndodhet në arrest shtëpie dhe ka një arsye, pra nuk është ndonjë dashuri. Në momentin që do të kemi vendim të formës së prerë do të veprohet në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Atij nuk i është hequr e drejta e të qënurit deputet, në rastin konkret për sa kohë nuk kemi vendim të formës së prerë Kuvendi e ritheksoj është të njohë të gjithë të drejtën që gëzon deputeti”, tha ai.

/abcnews.al/