Partia Socialiste ka siguruar një fitore të thellë në të gjitha bashkitë e vendit, duke mbyllur garën me rezultatin 5 me 0 ndaj kandidatëve të opozitës dhe atyre të pavarur.
Rezultati, që konsiderohet një dominim i plotë i mazhorancës, ka nxitur reagime dhe analiza mbi gjendjen e opozitës në vend. Analisti politik Frrok Çupi, në një intervistë për ABC News, u shpreh se Partia Demokratike po shkon drejt shuarjes dhe se nuk pritet ringjallje e saj, pavarësisht nga ndryshimet e mundshme në krye.
Sipas tij, opozita po përballet me mungesë zëri, ideje dhe lidhjeje me qytetarët, ndërsa zgjedhjet e fundit tregojnë një rënie të interesit publik dhe një garë gjithnjë e më të zbehtë politike.
“PD pak e nga pak po shuhet po shkon në fund dhe kjo duket nga ato që po ndodhin sot. Anëtarësia e thjeshtë e PD nuk ka pasur zë. Nuk ka asnjë surprizë. Ka teori që qarkullojnë që thonë që nëse ikën Berisha, PD do të ringjallet, unë nuk e besoj këtë. Njësoj do të jetë si me Berishën, si pa Berishën. Partitë e vogla nuk kanë akoma organizimin, logon, nuk ngjizin.
Kanë dhe një defekt shumë të madh sepse nuk janë krijuar nga vetvetja, por të ndara nga PD. Kanë të njëjtin ves si PD, të futura në bunker. Këta nuk mund të hapen, nuk mund të shkojnë tek njerëzit, sepse mendojnë vetëm për interesat e veta. PD ka filluar të rrëshqasë drejt një parti jo programore. PD është sot e mbytur edhe për zërat e veta. Çdo që mund të thuhet se zhvillohet në PD është antipatike. Nuk ka më dalje nga e gjithë skema. Interesi i qytetarëve ka rënë.
Në zgjedhje nuk ka më garë. Këto zgjedhje, ky moment ishte i paplanifikuar që nga fillimi, por është një paradhomë e zgjedhjeve lokale. Koha funksionon në dëm të opozitës, e cila do të shkërmoqet dhe do të demoralizohet”, tha Frrok Çupi./abcnews.al

