Analisti politik Frrok Çupi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit, duke theksuar se këto zgjedhje treguan një realitet të ri politik në Shqipëri.
Sipas Çupit, Partia Socialiste kishte një mundësi të rrallë për të kuptuar pozicionin e saj elektoral dhe rezultati i arritur tregon se “ra miti i bastioneve”, sipas tij e gjithë Shqipëria ishte njësoj.
Analisti nënvizoi gjithashtu rënien e ndjeshme të Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, po përballet me shpërbërje të brendshme dhe humbje të plotë të sensin politik. Çupi shtoi se me këtë rezultat, Partia Socialiste mund të shihet e pozicionuar fort deri në vitin 2029.
“Një nga veçoritë e këtyre zgjedhjeve është fakti që ajo se çfarë ka ndodhur, është një pamje kampion, në kuptimin gjeologjik. PS kishte shansin fantastik për të kuptuar se ku është dhe ishte më lart se sa ishte më 11 Maj. Ajo që është me shumë interes është se ra miti i bastioneve. Në këtë rast e gjithë Shqipëria ishte njësoj. E dyta Mati është një nga qendrat më të forta të PS.
Mati ka qenë flak e zjarr demokratike. Të mos harrojmë që ditën që Berisha tentoi të bëhej President gjithë potencën e tij ia besoi Matit dhe Bulqizës. Vullnetarët e parë që kanë dalë për të luftuar në Vlorë ishin nga Bulqiza, urdhri i parë i Berishës është zbatuar për herë të parë në Bulqizë dhe janë mbushur makinat në Bulqizë. Mati kishte dhe një aspekt tjetër politik, kishte Ahmet Zogun dhe gjetën tjetër rast për t’iu bashkuar Sali Berishës.
Edhe pse në Mat PS është ndarë, nuk i ka kushtuar asgjë. Ajo që e ka ulur fare PD-në sot është shpërbërja. Në PD nuk dihet se kush është i varur e kush nuk është i varur. Në PD edhe militantët e vet kanë hequr dorë nga PD. Mungon sensi politik, nervi dhe ideja. PS me këtë rezultat shkon në vitin 2029”, tha Frrok Çupi./abcnews.al

