Në 1 maj përfundon afati ligjor i regjistrimit të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste është duke shqyrtuar mbledhjen e 25 partive aleate për të finalizuar marrëveshjen për bashkimin e votave në 30 qershor.
Pritet që socialistët të hedhin hapin e radhës ndaj partive aleate.
Afati ligjor për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ mbaron më datë 1 maj, prandaj 30 prilli është dita e fundit që koalicioni i majtë të zyrtarizojë bashkimin e votave për zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse partitë politike nuk respektojnë afatin ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore.
Së bashku me 25 partitë e spektrit të majtë, Partia Socialiste është angazhuar për të ndërtuar një platformë të përbashkët për një koalicion funksional dhe fitues të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Të gjitha këto parti arritën të marrin 184 mijë vota në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor.
Më e madhja ndër partitë e koalicionit të majtë është Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit e ndjekur nga Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe PSV e Petro Kocit.
Me thirrjen se zgjedhjet as ndalen e as shtyhen Partia Socialiste pritet të zhvillojë edhe takimin finalizues të koalicionit të majtë që duhet të regjistrohet deri në datën 1 maj./abcnews.al