Pas partisë Demokratike, edhe socialistët kanë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve propozimin me dy qarqet ku janë dakord të aplikohet projekti pilot për numërimin dhe votimin elektronik në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në shkresën e siguruar nga gazetarja Esiona Konomi, Partia Socialiste thekson se është dakord me kërkesën e demokratëve për aplikimin e këtij projekti në Korçë, por jo në Fier ndërsa kërkojnë shtrirjen e tij vetëm në një pjesë të Tiranës.
Konkretisht në propozimin e socialistëve përcaktohet vetëm disa njësi administrative në Tiranë, kryesisht në zonat urbane dhe jo në ato rurale, kjo për të evituar ndonjë problem të mundshëm prej shtrirjes së sinjalit të internetit.
“I nderuar Z. Komisioner, në përgjigje të kërkesës suaj me numër 2648 prot dt 18/12/2020 “mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhje të datës 25.04.2021 për Kuvendin e Shqipërisë bazuar në ligjin nr, 10019 dt 29.12.2002 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar neni 22 “Kompetencat e KQZ-së lidhur me teknologjinë në zgjedhje në bazë të së cilit institucioni i KQZ-së ka kompetencë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të veçanta të procesit zgjedhor, ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10% të numrit të zgjedhjeve për çdo fazë të implementimit si dhe nenit 179
“Prokurimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit”, ku sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit, që do të përdoren ne zgjedhje do të implementohen në projekte pilot, bazuar në kërkesën tuaj mbi propozimet nga subjektet politike, për bashkitë ku mund të vihet në zbatim për projektin pilot për votim elektronik, ne subjekt politik Partia Socialiste e Shqipërisë propozojmë Bashkitë si më poshtë:
1. Bashkia Korçë
2. Bashkia Tiranë, në disa prej Njësive Administrative të kësaj Bashkie, të cilat përzgjidhen sipas vlerësimit tuaj si institucion”, deklaron PS.
KQZ ka në tryezë kërkesat nga dy partitë kryesore të cilat ndahen deri më tani nga Fieri dhe Tirana. Projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje do zbatohet në 20% të zonave, pikë kjo e dakordësuar në Këshillin Politik. Për të vendosur se në cilat zona zgjedhore do zbatohet projekti pilot për të mundësuar numërimin dhe votimin elektronik, do duhet konsensusi i palëve politike./mv.abcnews.al