“PS angazhim elektoral administratës”, PD: Të identifikohet dhe të monitorohet çdo drejtor dhe nëpunës

schedule15:52 - 11 Shtator, 2020

schedule 15:52 - 11 Shtator, 2020

Pas denoncimit të ish-deputetit të PD Luan Baçi se drejtuesit e Bashkisë së Fierit kishin nxjerrë një formular me anë të të cilit, sipas Baçit kërcënoheshin punonjës të administratës për të siguruar vota, Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të tolerohet asgjë dhe se do të monitorohet çdo lëvizje.

Sipas PD, administratës publike po i shpërndahen formularë për të siguruar vota me presion të paligjshëm, ose në të kundërt do të shkarkohen nga puna punonjësit përkatës.

Bardhi u ka kërkuar degëve të PD të identifikojnë drejtorët dhe nëpunësit që bëjnë presione dhe shantazhe për vota.

Lexo edhe: “Mblidhni sa më shumë vota”, kreu i PD Fier: Kryebashkiaku ushtron presion ndaj administratës

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, e cilëson këtë “një skeme kriminale të përdorimit të administratës shtetërore nga PS për qëllime elektorale”, të dënueshme nga Kodi Penal, neni 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Duke paralajmëruar ndjekjen penale për çdo shkelës të ligjit, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka lënë detyrat për Shtabet Politike në të gjitha degët.

Në denoncimin e PD thuhet:

“Formulari i PS dhe kërcënimi për votat e administratës, PD nis monitorimin kombëtar: Do të çohet për ndjekje penale çdo shkelës i ligjit.

Partia Demokratike nuk do të tolerojë asnjë lëvizje të PS, të cilën e konsideron shkelje të ligjit dhe barazisë në zgjedhje. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, u kërkoi të gjitha degëve të PD të identifikojnë dhe të monitorojnë çdo drejtor dhe çdo nëpunës që përfshihet në presionin e paligjshëm të administratës për të siguruar vota për PS.

Shkak për angazhimin e  strukturës së PD  në të gjithë vendin është bërë shpërndarja në çdo institucion e një formulari përmes të cilit u kërkohet punonjësve të administratës shtetërore angazhim elektoral në favor të PS. PD thekson se atyre u kërkohet të dorëzojnë listat me emrat, adresat dhe numrin e kartës së identitetit, të 20-50 pesonave (sipas funksionit) që ata marrin përsipër të sjellin për të votuar për Partinë Socialiste, në të kundërt, ata shantazhohen me largim nga puna.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, e cilëson këtë “një skeme kriminale të përdorimit të administratës shtetërore nga PS për qëllime elektorale”, të dënueshme nga Kodi Penal, neni 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Duke paralajmëruar ndjekjen penale për çdo shkelës të ligjit, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka lënë 2 detyra për Shtabet Politike në të gjitha degët.

  1. Të identifikojnë të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore që kanë shpërndarë një Formular të tillë apo që shantazhojnë punonjësit e tyre për qëllime politike/elektorale, si dhe të dokumentohen veprimet e paligjshme të çdo punonjësi të administratës shtetërore që angazhohet në veprimtari politike me qëllim elektoral. Për secilin prej tyre të dhënat të përcillen në Shtabin Qendror në PDSH për efekt dokumentimi dhe për përgatitjen e kallëzimeve penale në prokurori.
  2. Të garantohen të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.

N.D./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!