PS: Alibia për parregullsi në zgjedhje mori goditje përfundimtare

schedule14:00 - 12 Korrik, 2019

schedule 14:00 - 12 Korrik, 2019

Partia Socialiste e konsideron rezultatin e rinumërimit të kutive në Lezhë, si prova më e mirë që shkatërron alibinë për parregullsi në 30 qershor. Zëdhënësja e Kryesisë, Elisa Spirapali tha se edhe ato pak vota të ngatërruara nuk janë në favor të kandidatit të Partisë Socialiste.

“Për muaj me radhë, deri më 30 Qershor, opozita jashtë-parlamentare hodhi baltë pa fre dhe pa cak, mbi qeverinë, shqiptarët dhe Shqipërinë. Sipas Bashës, me Edi Ramën Kryeministër, nuk mund të kishte kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të, edhe zgjedhjet që vet PD drejtoi në vitin 2017, nuk ishin të rregullta. Kjo, sepse me logjikën ku 7 herë 7 bëjnë 42, zgjedhjet ku Basha humbet, nuk mund të konsiderohen kurrsesi legjitime.

Sot, alibia e ngritur për parregullsitë e regjistruara më 30 Qershor, mori një goditje përfundimtare. Prova më e mirë që shkatërron alibinë e fundit të humbësit serial Lulzim Basha, është rinumërimi i 11 kutive në Lezhë.

11 kuti u rihapën për shkak të ankesave të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Rezultatet tregojnë qartësisht se nuk ka pasur asnjë parregullsi. Në 10 prej kutive, janë ekzaktësisht të njëjtat vota, që janë regjistruar edhe në tabelën përfundimtare të KQZ.

Në vetëm njërën prej kutive, figuruan tre vota të ngatërruara, por asnjë prej atyre votave nuk ka shkuar në favor të kandidatit të Partisë Socialiste. Janë tre vota, të shkëmbyera midis kandidatëve Ndocaj dhe Kaçaj, pa asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar.

Faktet janë kokëforta. Rezultatet rakordojnë në mënyrë perfekte midis tabelave të publikuara nga KZAZ dhe rezultatit të rinumërimit. Asnjëherë më parë në Shqipëri, aq më pak në kohën kur kryebashkiakët si Basha zgjidheshin jo me votë, por me vendim gjykate, standardi dhe transparenca e zgjedhjeve nuk ka qenë kaq e lartë.

Shqiptarët e kanë kuptuar shumë mirë hallin e Bashës, Berishës, Metës e Kryemadhit, por askush nuk mund t’i ndihmojë në këtë hall. Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin një ndarje e qartë nga e shkuara.

Pavarësisht bojkotit, kërcënimeve për dhunë, pavarësisht gjullurdisë “haxhiqamiliste”, që opozita e bashkuar tentoi të krijonte në 2019-n, shqiptarët në masë refuzuan mesazhin e dhunës, duke zgjedhur të ardhmen, Shqipërinë Europiane”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!