Filloi më shpejt se herët e kaluara.
Nuk u desh të pritej deri në hyrjen e ekipeve në stadium e në ekzekutimin e himneve, por ato që cilësohen “provokime”, apo “provokacija” në serbisht, filluan dy ditë përpara ditës së ndeshjes së kombëtares shqiptare në Leskovac.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njofton zyrtarisht se arrestoi një shqiptar në pikën kufitare me Kosovën në Merdare, ndërsa publikoi edhe një video.
Sipas videos, dhe sipas komunikatës së ministrisë, shqiptari që drejtonte një makinë “Mercedes Benc”, u ndalua pasi gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën veshje dhe suvenire me simbole nacionaliste.
Flitet për 22 fanela, 65 bluza me mëngë të gjata me fytyrën e njërit prej komandantëve të UÇK-së, Agim Ramadani, 86 kapele me stemën e UÇK-së, 244 flamuj dhe 58 shalla me simbolin e Shqipërisë.
Policia serbe dyshon se këto veshje dhe suvenire do të përdoreshin në ndeshjen mes Serbisë e Shqipërisë për eliminatoret e Kupës së Botës.
Komentet në rrjetet sociale ishin të shumta dhe pati tifozë serbë që akuzuan shtetin që e dërgoi ndeshjen në Serbinë e Jugut ku ka shumë shqiptarë, duke pasur frikë nga problemet.
Ndërkaq, duhet te theksojmë se sipas marrëveshjes së dy federatave dhe FIFA-s, në Leskovac nuk do të ketë tifozeri të organizuar shqiptare, siç nuk pati tifozeri të organizuar serbe në Tiranë në 7 qershor. / abcnews.al /

