Provimi i Letërsisë, studiuesja: Testonte nivele mesatare njohurie, hartuesit të bëjnë “mea culpa”

schedule14:17 - 15 Qershor, 2020

schedule 14:17 - 15 Qershor, 2020

Provimi i Gjuhës dhe Letërsisë shkaktoi një pakënaqësi tek maturantët e këtij viti dhe për disa ditë me radhe janë mbajtur protesta përpara Ministrisë së Arsimit.

Për të folur në lidhje me mënyrën sesi është hartuar kjo tezë dhe për mënyrën sesi mund të gjendjet një zgjidhje, e ftuar në studion e ABC News ishte studiuesja e gjuhës, Teuta Toska.

U tha që provimet e maturës këtë vit do të ishin më “toleruese” për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe për këtë arsye u vendos që testi të bëhej me alternativa. Gjithsesi kjo duket se nuk bëri efektin që pritej.

Sipas Toskës, kriza e krijuar pandemia në fakt mund të ketë ndikuar edhe në mënyrën sesi është krijuar testi. Ajo shprehet se e ka parë me vëmendje tezën dhe se beson se nuk bëhet fjalë për një test të vështirë, por për një të ndërtuar keq.

Teuta Toska: “E kam parë me vëmendje dhe besoj që ky test nuk është i vështirë, është i ndërtuar keq. Është i paredaktuar mirë nga një redaktor që e njeh mirë shqipen. Ka një shqipe të administratës, të jep përshtypjen se ishte i përkthyer.”

Po ashtu, studiuesja e Gjuhës thotë se pjesa e parë e testit ishte ndërtuar keq, por të kishte qenë pjesa e dytë në fillim, ndoshta nxënësit nuk do ta kishin humbur aq shumë përqendrimin.

Toska: “Pjesa e parë është ndërtuar keq është e paqartë edhe janë përdoru alternativa të vështira për t’u përqendruar. Nëse pjesa e dytë do të ishte në fillim maturantët do ishin më të sigurt në atë qe do bënin. Fillimi i tillë i ka bërë të pa-shpërqendruar, dhe të pasigurt.”

Po ashtu, Toska u shpreh se ka dëgjuar se pyetjet të jepnin përshtypjen se ishin përkthyer me Google Translate, ndërsa shtoi se ka pasur gabime stilistikore, leksiokore dhe fjalë parazitare të përdorura, që mund t’i shpërqendrojnë nxënësit.

E pyetur nëse ky provim i testonte në thelb njohuritë e maturantëve, Tetuta Toska u shpreh se ka parë reagimet e maturantëve në mediat sociale dhe i ka rënë në sy komente të tipit ” unë kam dalë mirë, edhe pse ia futa kot shumicës së pyetjeve”.

Ajo shton se për përgjigjet e cilësuara si të sakta, Qendra e Shërbimeve Arsimore duhet të japë argumente, dhe kjo vlen edhe për rastin e “Turit”.

Toska: …“A ka argumenta sfati pse ka zgjedhur këtë dhe jo ketë? Për pyetjen e Turit, teksti narrativ, duhet shpjeguar, pse ajo që unë kam zgjedhur, në stil shkon me këtë gjë… me ç’dëgjova ajo përgjigja nuk ishte. Mbi ç’argument ata kanë vendosur që ky aksion ndiqet nga ky veprim?”

Nga ana tjetër, studiuesja thotë që 15-17 nga pyetjet e pjesës së Gjuhës janë jo të qarta dhe “për mua që merrem me studimin e gjuhës.”

E pyetur se çfarë mund të ndryshohej nga ana konceptuale, Teuta Toska tregon:

“Nuk është keq, do kisha hequr disa nga pyetjet për interpretimin e imazhit. Nuk formohen mësuesit për të gjykuar në lidhje me imazhin. Pyetjet që lidhen me strukturën e tekstit, ato do t’i kisha bërë më të qarta. Disa kanë qene të qarta, disa jo. Ky provim teston njohuri të përgjithshme,  reagimi im i parë ishte: Mos kanë ngatërruar testin? Ato pyetje plotësohen me intuitë nuk kanë nevojë për  të bërë gjuhë amëtare. Kishte më shumë bazë intuitive sesa bazë shkencore. Është pjesë e programit mësimor, por terminologjia, çështjet e hetuara të lënë ndjesinë që nuk ka lidhje me atë që kanë pasur nxënësit në dorë… Nuk ka shumë përputhje me tekstet e gjimnazit,. në protestë kanë dalë edhe nxënësit e mirë. Teston nivele mesatare njohurie…, QSHA ka dashur të bëjë një test mesatar. Ai test shkon deri te notën 7 apo te 8. Pastaj kanë përdor të njëjtin test edhe për shkolla profesionale. Këta që bëjnë një program të plotë, do t’i çosh deri te 8?”

Po ashtu, studiuesja thotë që edhe nëse teksti i testit është marrë i gatshëm, është përpunuar nga specialistë, por “duket si test i punuar shpejt, në një javë. Ndërsa shton se grupi i hartimit ka një vit kohë për ta bërë këtë.

Sipas Teuta Toskës, në këtë pikë situata ka ardhur si pasojë e mungesës së bashkëpunimit mes universiteteve, institucioneve shkencore, Ministrisë, QSHA-së dhe mësuesve. “Kjo ndihet dhe e gjitha kjo ka krijuar këtë problem.”

Si përfundim, studiuesja e Gjuhës thekson që gjithnjë do të ketë pakënaqësi, por detyra e QSHA-së në këtë rast është që të jetë e hapur ndaj vërejtjeve.

Po ashtu ajo thekson se ribërja do të kishte shumë kosto dhe është e pamundur që të bëhet, ndërsa shtoi se si zgjidhje mund të ketë edhe lëshime në notë. Ekipi që ka hartuar tezën sipas saj duhet të bëjë një “mea culpa”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!