Provime dhe spektakël, shkolla që prodhon artistë në Fier, njihuni me maturantin e talentuar

schedule15:37 - 6 Qershor, 2021

schedule 15:37 - 6 Qershor, 2021

Nga Valbona Davidhi

Janë provimet e fundvitit por tek shkolla ‘Jakov Xoxa’ në Fier ato konceptohen si shfaqe artistike.

Me nxënës të talentuar si Ergi Cane, fitues i disa çmimeve te para ne konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare, një prezantim diplome, merr përmasat e një koncerti për sallat e muzikës klasike.

18 vjeçari, performoi një repertor të pasur nga kompozitorë botërorë si Shuman Bach, Beethoven, Chopin e Prokofiev, duke përjetuar në të njëjtën kohë emocione, të skenës dhe provimit.

“Ndihem i emocionuar. Kisha gati një vit që përgatitesha”.

Provimi sapo e përfundoi dhe një tjetër maturante. Koncertet e ‘Jakovit’ siç e quajnë nxënësit shkollën e tyre, janë falas dhe të hapura për publikun

“Edhe për kurset edhe për provimet e fundvitit. Në kushtet e pandemisë edhe publiku është i limituar. I japim mundësinë atyre të shfaqen”

Kjo traditë vazhdon për sa kohë që shkolla ‘prodhon’ talente si Ergi Cane.

Nuk ka sekrete, por një formulë të njohur suksesi, talent dhe shumë punë “Ergi pasuroi punën e vet 12-vjeçare. Ka qenë gjithë kohës nxënës i disiplinuar. Ka një punë kolosale dhe këtë e tregoi sot”

Si nxënës ekselent Ergi Cane ka ide të qarta për të ardhmen. Ai ka aplikuar në disa konservatorë europiane  për të vazhduar formimin e tij artistik.

“Kam aplikuar në disa shkolla në Gjermani. Edhe në Itali. Mendoj se atje kam mundësi më të mira për t’u zhvilluar” shprehet ai,

Shkolla Artistike Jakov Xoxa përveç degëve të muzikës ka edhe lëndët e  arteve pamore, pikturë dhe skulpturë.  Nga bankat e këtij liceu artistik gjate 55 viteve kanë dalë emra të mëdhenj të artit si violinistja Evis Gega, apo pianistja Mirela Sopiqoti. /Abcnews.al