Nga Xhensila Kodra
Janë jo të pakta rastet kur ngjarje të rënda kriminale mbeten të pazbardhura e pa autor në vendin tonë. Mesa duket, kjo nuk vjen vetëm nga sofistifikimi i grupeve kriminale apo mangësive nga ana e Policisë së Shtetit. Specialistët rendisin të tjera arsye. Si shembull, eksperti i pavarur i kriminalistikës, Artan Rexhepi merr vrasjen e Santjago Malkos.
“Këtu ka vend për të përmirësuar, ose për të ndryshuar. Personat që nuk kanë punë me vendin e ngjarjes, përveç ekspertit dhe oficerit të policisë gjyqësore ose prokurorit, varet nga rëndësia e veprës penale, nuk kanë punë të jetë i pranishëm në vendngjarje. Një tjetër problem është që ruajtja dhe mirë administrimi i vendngjarjes edhe pasi largohen nga ngjarja ekspertët, sepse mund edhe t’i rikthehesh për provat që të kanë shpëtuar ose për provat që të kanë ikur”, është shprehur eksperti.
Rexhepi shprehet se mungon vëmendja ndaj këtyre ekspertëve, për t’i motivuar ata qoftë financiarisht, qoftë edhe nga pikëpamja administrative.
“Pjesa e policisë për mua çalon në konservimin e vendit të ngjarjes. Nevoja për përmirësime ka, investohet shumë në fusha të tjera, ndërkohë, pjesa e ekspertëve është lënë pas dore. Nëse duhet t’i kthehemi ekspertëve si persona janë të limituar në karrierë, të limituar në grada. Duhen mbështetur financiarisht dhe nga pikëpamja administrative dhe në aspektin e karrierës. Një gjë nuk shoh me vend tek ekspertët është përfshirja e tyre në çështje civile”, ka thënë ai.
Eksperti Rexhepi e vë theksin edhe tek Vettingu në Polici, si mënyra e vetme për të pastruar uniformat blu./abcnews.al