Protestuesit padisin administratën Trump për dërgimin e agjentëve federalë në Portland

schedule12:57 - 29 Korrik, 2020

schedule 12:57 - 29 Korrik, 2020

Dy grupe protestuesish kanë paditur Departamentin e Sigurisë Kombëtare  në akuzën se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e forcave federale të zbatimit të ligjit për të shpërndarë turmat me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

“Muri i Nënave” (“The Wall of Moms”), një grup nënash protestuese, si dhe grupi “Mos qëlloni Portlandin” (“Don’t Shoot Portland”) paditën të hënën Sekretarin në detyrë të Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf, si dhe zyrtarë të tjerë federalë. Agjensia nuk iu përgjigj menjëherë të martën kërkesës për të komentuar rreth kësaj padie.

Anëtareve të grupit të nënave “u është hedhur gaz lotsjellës natë pas nate, duke i shkaktuar të vjella dhe me pamundësinë për të ngrënë apo për të fjetur, për shkak të gazit toksik që është hedhur ndaj tyre”, thuhet në padi.

Padia pretendon se taktikat ishin të paligjshme dhe se prezenca e agjentëve në Portland shkel “një parim themelor të demokracisë amerikane”, sepse agjentët po kryejnë realisht funksione të policisë lokale që rezervohen për autoritetet e shteteve amerikane dhe ato vendore.

Padia gjyqësore u ngrit në Gjykatën e Qarkut Uashington, D.C., pasi kryetari i bashkisë së Portlandit dhe drejtuesit e pesë qyteteve të tjera kryesore i bënë thirrje Kongresit për ta bërë të paligjshme për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të dislokojë agjentë në qytetet që nuk i duan.

Kryetari i Bashkisë së Portlandit, Ted Wheeler, dhe Komisionerja e qytetit, Jo Ann Hardesty, i kërkuan zotit Wolf të hënën vonë një takim për të diskutuar mbi armëpushimin dhe dëshirën e tyre për largimin e agjentëve shtesë federalë të vendosur në Portland.

Por prokurori federal për shtetin Oregon, Billy J. Williams, insistoi të hënën se agjentët nga Agjensia për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit, Shërbimi i Marshallëve dhe Shërbimi Mbrojtës Federal do të qëndrojnë në Portland për sa kohë që protestuesit vazhdojnë të sulmojnë godinën “Mark O. Hatfield” të Gjykatës Federale.

Protestat kanë trazuar qytetin Portland prej dy muajsh, që nga vdekja e George Floyd-it, afro-amerikanit që vdiq më 25 maj.

Në Portland, demonstratat kanë vënë në objektiv gjithnjë e më shumë godinën e gjykatës federale, dhe protestuesit kanë provuar pothuajse çdo natë të rrëzojnë një gardh të ngritur për të mbrojtur ndërtesën, kanë vendosur zjarre në rrugë dhe kanë hedhur fishekzjarre, shishe molotov dhe tulla, gurë e shishe ndaj agjentëve brenda gardhit.

“Nuk është zgjidhje t’u thuhet oficerëve federalë të largohen kur vazhdojnë sulmet ndaj pronës federale dhe personelit”, tha prokurori Williams. “Nuk do ta lëmë ndërtesën të pambrojtur që të shkatërrohet nga njerëzit që synojnë ta bëjnë këtë gjë”.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr  mbrojti përgjigjen agresive ndaj trazirave civile të organeve federale të zbatimit të ligjit, duke thënë se “rebelët e dhunshëm dhe anarkistët kanë marrë peng protestat e ligjshme” që u ndezën nga vdekja e George Floyd-it në duart e policisë së qytetit Minneapolis

Zoti Barr u tha anëtarëve të Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve në një seancë dëgjimore të shumëpritur në një vit zgjedhor, se dhuna në Portland dhe qytete të tjera është e shkëputur nga vrasja e Floyd-it, të cilën ai e quajti një ngjarje “të tmerrshme” që shkaktoi një reflektim të nevojshëm kombëtar rreth marrëdhënieve mes komunitetit afro-amerikan dhe forcave të zbatimit të ligjit.

“Mungojnë përgjithësisht në këto skena shkatërrimi përpjekjet qoftë edhe sipërfaqësore të pjesëmarrësve në trazira për të lidhur veprimet e tyre me vdekjen e George Floyd-it, ose ndonjë thirrje e ligjshme për reforma”, tha  Barr për protestat e Portlandit.

Këshilli i qytetit Portland pritet të votojë të mërkurën nëse do të organizojë një referendum për votuesit në nëntor që do të krijonte një bord inspektimi për Byronë e Policisë, e cila është e pavarur nga zyrtarët e zgjedhur dhe departamentet e bashkisë. Sindikata e policisë e kundërshton idenë dhe e ka quajtur veprimin të paligjshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!