TIRANË– Analisti Artur Nura, i ftuar në “News Line” komentoi ardhjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për të protestuar në Tiranë.
Sipas tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfaqur oreks të shtuar për pushtet, oreks ky, i cili shkon përtej Kosovës dhe këtë qasje e ka dëshmuar më së miri duke ndërhyrë te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Reagime që kanë kundërshtuar ardhjen e shqiptarëve për të protestuar në Tiranë ka pasur nga politikanë të shumtë mes tyre, Ramush Haradinaj dhe Ali Ahmeti.
Ky i fundit është shprehur se protesta në Tiranë i shërben vetëm interesave kundër Shqipërisë. Kreu i partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut thekson se ajo nxitet nga qëllime dashakeqe nga Greqia dhe Serbia dhe ka synim të godasë një nga sektorët më strategjikë në Shqipëri, siç është turizmi.
Mbi këtë debat, Nura theksoi se Albin Kurti udhëhiqet nga një qasje më tepër orientale sesa perëndimore dhe tentativat e tij për të prishur urat lidhëse mes një kombi nuk do t’ia falte historia kurrë.
“Deklaratat duhen lexuar me përgjegjshmërinë politike. Albin Kurti ka shfaqur një lloj oreksi për pushtet, që shkon përtej Kosovës. E ka shfaqur në mënyrë publike ndaj RMV dhe me sa duket edhe ndaj Shqipërisë. Me qasje ‘haxhiqamiliste’ të Kurtit nuk shkojmë dot në Evropë. Ka më shumë qasje orientale, sesa perëndimore. Nuk mund të prishim urat lidhëse mes një kombi. Këtë s’ta fal historia.”, tha ai./abcnews.al



