Një gjykatë ruse dënoi sot dy ish-ushtar me 19 vjet burg për hedhjen e koktejve molotov në një bashki në shenjë protestë kundër rekrutimit për luftën në Ukrainë.
Ky është dënimi më i rëndë deri më tani për sulme të tilla ndaj ndërtesave qeveritare, të cilat janë shumëfishuar në të gjithë Rusinë që nga fillimi i ofensivës kundër Ukrainës.
Dy burrat, Roman Nasriev dhe Alexei Nuriev, u dënuan nga një gjykatë ushtarake në Yekaterinburg (Urals) kryesisht për “veprime terroriste”.
Sipas hetuesve, në mesin e tetorit, Roman Nasriev dhe Alexei Nuriev, të cilët në atë kohë punonin në Gardën Kombëtare dhe Ministrinë e Situatave të Emergjencave, kishin thyer një xham në katin përdhesë të bashkisë së Bakalit.
Më pas ata hodhën koktelj molotov, por pa shkaktuar viktima apo dëme të mëdha në këtë godinë, ku ndodhej edhe një zyrë rekrutimi.
Dy të pandehurit nuk i mohuan faktet, por hodhën poshtë akuzat për akt terrorizmi ,me argumentin se donin të denonconin fushatën në Ukrainë.
Dhjetra sulme të ngjashme kundër luftës në ndërtesa publike kanë ndodhur në Rusi që nga fillimi i sulmit në Ukrainë, por akuzat e ngritura kundër tyre dhe dënimet e vendosura deri më tani kanë qenë më pak të rënda.
Qindra njerëz që kanë shprehur kundërshtimin e tyre tashmë janë gjobitur ose burgosur.
/abcnews.al