Në Tiranë, po mbahet një marshim sensibilizues për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani, i cili u godit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pranë ambienteve të shkollës “Fan Noli”.
Qytetarë dhe prindër të fëmijëve, fillimisht u mblodhën para ambienteve të shkollës ku ndodhi ngjarja e rëndë, dhe tashmë ata ndodhen para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Gazetarja Gerta Vasku, e cila po ndjek nga afër ngjarjen, raportoi: “Pak minuta më parë ka nisur marshimi për ngjarjen që i tronditi të gjithë, vrasjen e Martin Canit 14 vjeçar. Në orën 11:00, prindërit janë mbledhur në shkollën Fan Noli për të vijuar marshimin drejt ministrisë së Arsimit në shenjë sensibilizimi për vrasjen e 14 vjeçarit. Pjesëmarrja është e konsiderueshme.”
Një ditë më parë, autori ka dëshmuar para uniformave blu, se janë zënë për shkak se Cani e shikonte. I pyetur nëse është penduar, ai nuk ka pranuar të flasë. Madje, as për armën nuk ka dhënë asnjë detaj.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi. Thiken nuk e kisha me vete gjatë mësimit, e kisha fshehur aty afër. Ne e lamë për t’u sqaruar se ai po më shikonte, nuk mendova se ngjarja do merrte përmasa të tilla”, ka deklaruar Mario Perlleshi, autori i ngjarjes./abcnews.al