Protestë në Prishtinë, kërkohen të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

schedule14:23 - 17 Korrik, 2023

schedule 14:23 - 17 Korrik, 2023

Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka protestuar me kërkesën për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Stop pasivizimit të adresave të shqiptarëve”, ishte njëra nga thirrjet e protestuesve të cilët marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ata kërkuan që të ndërpritet menjëherë pasivizimi i adresave, të anulohen të gjitha vendimet e lëshuara si dhe një nga shtetet e bashkësisë evropiane të merr në mbështetje të gjithë banorët shqiptarë në atë pjesë.

Kryetari i Ballit Demokrat Shqiptar, Nikollë Perkaj, tha se Serbia po përdorë presion administrativ me qëllim të spastrimit etnik në heshtje.

“Në Kosovën Lindore po përdorë presionin administrativ, duke i bërë in-ekzistent, duke i shlyer adresat e banimit dhe duke i hequr të drejtat e pajisjes me kartela të identifikimit, duke i shlyer nga pronësia e patundshme dhe një mori marifetesh që vetëm serbët i bien ndërmend t’i bëjë kur jemi ne shqiptarët në pyetje”, deklaroi ai.

Për këtë situatë ai kritikoi Qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, për çka tha se nuk janë të bashkuar.

Edhe aktivisti nga Lugina e Preshevës, Rexhep Abazi u shpreh se Medvegja është pjesa më e rrezikuar dhe goditur me masat administrative, të quajtura pasivizim i adresave.

Ndërkaq, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar në Malishevë, Cenë Desku, kërkoi që të krijohet një asociacion edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!