“Mos na shkelni të drejtat, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë” apo “Jemi lodhur, parlament-qeveri të kujt jeni?”.
Këto ishin disa nga shkrimet në pankartat e sindikatës së punëtorëve në Kosovë.
Protesta e tyre filloi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për tu ndalur përpara godinës së qeverisë, tashmë përsëri qeveri në detyrë.
Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me rastin e Ditës së Puntorëve, në shenjë proteste e bllokuan rrugën të Katedralja, me thirrjet se klasa punëtore punon për të ndërtuar një shtet, që sipas tyre, nuk u përket më atyre, por kapitalistëve në publik e privat.
Sipas tyre, punëtorët sot përballen me një jetesë që bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta dhe pa patur siguri për një të ardhme të qëndrueshme, madje edhe me ngacmime seksuale në vendin e punës.
Një protestë kishte parashikuar edhe Shoqata e Bizneseve të Vogla, e cila u anulua për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore për organizimin e saj, por kërkesat e tyre ishin të qarta dhe u dorëzuan në dyert e institucioneve duke ngritur si problem mosrespektimin e pagës minimale dhe kushteve të punës.
Në thelb të protestave ishte thirrja që institucionet të mos harrojnë se janë në shërbim të qytetarëve dhe të mos sillen me postet shtetëror si pronë private.
Kosova është një nga vendet më të varfra në rajon, me reforma që nisin dhe nuk arrijnë të implementohen për shkak të paqëndrueshmërisë politike.


