Protestat e Los Angeles përhapen në të gjithë SHBA-në, qytetet e tjera që i bashkohen

schedule13:08 - 11 Qershor, 2025

schedule 13:08 - 11 Qershor, 2025

Pas disa ditësh demonstratash në Los Angeles kundër bastisjeve të autoriteteve federale të emigracionit, protestat janë përhapur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar dislokimin e mijëra trupave dhe qindra marinsave në Los Angeles për të shtypur protestat, veprim që ka shkaktuar përplasje me zyrtarë shtetërorë dhe vendorë.

Trazirat nisën pasi oficerët federalë arrestuan grupe të mëdha emigrantësh pa dokumente në zona me popullsi të madhe latino-amerikane. Që nga ajo kohë, tubime janë mbajtur në shumë qytete të vendit, dhe priten protesta të tjera në ditët në vijim.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, urdhëroi të martën dislokimin e Gardës Kombëtare në San Antonio, përpara protestave të paralajmëruara. Ai shkroi në platformën X:
“Protesta paqësore është e ligjshme. Dhuna ndaj personave apo dëmtimi i pronës është i paligjshëm dhe do të çojë në arrestime.”

Protesta në qytete të mëdha:

Austin (Texas)
Qindra protestues u mblodhën të hënën mes ndërtesës së Kapitolit të shtetit dhe një ndërtese federale që strehon zyrat e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE). Policia shtetërore dhe ajo lokale përdorën gaz lotsjellës dhe sprej piperi për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit hodhën shishe, gurë dhe sende të tjera ndaj efektivëve.

Dallas (Texas)
Të hënën, protestues u mblodhën edhe në Dallas, ku të paktën një person u arrestua.

New York (Manhattan)
Të martën, mijëra qytetarë protestuan në jug të Manhattan-it. Policia e Nju Jorkut (NYPD) konfirmoi për BBC se ka kryer “arrestime të shumta”, megjithëse protesta ishte kryesisht paqësore. Kryetari i bashkisë Eric Adams deklaroi se protesta si ato në Los Angeles janë “të papranueshme dhe nuk do të tolerohen në qytetin tonë”.

San Francisco
Qyteti i San Franciskos është përfshirë gjithashtu nga protesta masive. Mijëra vetë morën pjesë në demonstrata, dhe më shumë se 150 persona u arrestuan të dielën pranë një zyre tjetër të ICE, pas përshkallëzimit të dhunës. Sipas policisë, gjatë trazirave u dëmtuan ndërtesa dhe automjete, ndërsa dy oficerë mbetën të plagosur. Të martën, rreth 200 protestues u mblodhën jashtë Gjykatës së Emigracionit të qytetit.

Philadelphia
Të paktën 15 persona u arrestuan të martën, pas një proteste me rreth 150 pjesëmarrës. Policia lokale tha se turma ndërpreu trafikun dhe rrezikoi sigurinë publike. Disa oficerë përdorën forcë gjatë arrestimeve, për të cilat është paralajmëruar një rishikim procedurial.

Atlanta
Sipas mediave lokale, të hënën në Atlanta u hodhën mjete piroteknike ndaj policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Të martën, qindra persona u mblodhën përgjatë rrugës Buford Highway, dhe të paktën gjashtë protestues u arrestuan.

Chicago
Mijëra protestues u mblodhën pranë një gjykate emigracioni në qytet dhe më pas marshuan në qendër të qytetit të martën në mbrëmje. Mediat vendase raportuan se protesta ishte kryesisht paqësore.

Ëashington D.C.
Të hënën, disa sindikata u mblodhën në kryeqytetin amerikan, duke marshuar para ndërtesës së Departamentit të Drejtësisë. Protesta ishte në shenjë kundërshtimi ndaj ndalimit të liderit sindikal David Huerta gjatë bastisjeve në Los Angeles të premten. Huerta u lirua nga autoritetet federale të hënën në mbrëmje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!