Të paktën 18 emigrantë kanë vdekur dhe 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi varka e tyre u fundos në brigjet e Tobrukut gjatë fundjavës. Lajmi tragjik u konfirmua nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, e cila u referohet burimeve lokale.
Dhjetë persona janë shpëtuar deri më tani. Tobruku është një qytet bregdetar në kufirin e Libisë me Egjiptin .
“Kjo tragjedi e fundit është një kujtesë e zymtë e rreziqeve vdekjeprurëse me të cilat përballen njerëzit në kërkim të sigurisë dhe mundësive. Libia mbetet një qendër e madhe për migrantët dhe refugjatët, shumë prej të cilëve përballen me shfrytëzim, abuzim dhe udhëtime kërcënuese për jetën”, shtoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Që nga përmbysja e Muamar Gadafit në vitin 2011, Libia është bërë një qendër tranziti për emigrantët që kërkojnë të arrijnë Evropën duke kaluar shkretëtirën dhe Detin Mesdhe për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë.


