Paralizohen linjat e metrosë në Paris, pas grevës së paralajmëruar të sindikatave kundër reformave të pensionit të mbështetura nga presidenti Emmanuel Macron. Të hënën në grevë do të hyjnë, mjekë, avokatë, infermierë dhe pilotë avionësh.
Përdoruesit francezë të metrove janë të parët që vuajnë pasojat e përplasjes mes presidentit Emmanuel Macron dhe sindikatave franceze të transportit për sa u përket reformave të pensioneve. Një reformë që anulon mundësinë e punëtorëve të këtij sektori që të dalin në pension në moshën 52 vjeç, pra 10 vjet më parë se pjesa tjetër e punonjësve publikë.
Protestuesit shpjegojnë se sektori i transporteve në Paris nuk ka asnjë privilegj si pretendojnë mediat. Mundësia për të dalë në pension para të tjerëve është shpërblim për kushtet e vështira të punës që ata përballojnë çdo ditë për të ofruar shërbimin publik.
Greva e tyre që sipas organizuesve është më masivja që nga viti 2007, ka paralizuar 10 nga 16 linjat e metrove, duke lënë në këmbë me mijëra persona që u detyruan të gjejnë mënyra alternative për të shkuar në punë.
Një sinjal për presidentin Macron, i cili synon të reduktojë 42 regjime të ndryshme pensionesh, në një sistem të vetëm të bazuar në pikë. Një sezon i ri grevash mund të shkaktojë jo pak problem për presidentin i cili është dobësuar politikisht dhe nga protestat e “Jelekëve të Verdhë”.
Të hënën do të hyjnë në grevë avokatë, mjekë, infermierë dhe pilotët e avionëve. Ndërsa në datat 21 dhe 24 shtator do të hyjnë në grevë dhe tre sindikata të tjera./ABC News Albania 24/7