Një viktimë është shënuar në protestat masive në Algjeri ku manifestuesit kundërshtojnë kandidimin e presidentit të vendit për një mandat të pestë në krye të shtetit, në zgjedhjet presidenciale të 18 Prillit.
Një protestues i ri ka mbetur i vrarë të premten në Algjeri gjatë manifestimeve kundër kandidaturës për një mandat të pestë të presidentit të vendit Abdelaziz Bouteflika. Viktima është djali i një prej liderëve të revolucionit anti-kolonial, kryetar i qeverisë në azil të frontit të çlirimit kombëtar. I riu humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda që iu shkaktuan nga agjentët e policisë.
Dita ditës në Algjeri, protestat përshkallëzohen kundër vendimit të presidentit të moshuar për të kandiduar për një mandat të pestë në zgjedhjet e 18 Prillit. Me mijëra persona u mblodhën në sheshin qendror “1 Maji”. Tensionet filluan pasi policia përdori gaz lotsjellës në zonën pranë parlamentit të vendit, ndërsa mediat denoncojnë ndërhyrjet në lidhjen me internetin.
Një nga motot kryesore të protestave është “Jo një mandati të pestë!”. Ndërkohë që manifestuesve iu janë bashkuar dhe personalitete politike dhe kandidatë të tjerë presidencialë. Mes tyre dhe ish-kryeministri algjerian në periudhën 2000–2003, dhe ish kandidat për president në 2004–2014. Kandidatët e tjerë për presidencën e vendit u kanë kërkuar protestuesve të mos braktisin misionin e tyre.
Bouteflika, 81 vjeç, ndodhet në postin e kryetarit të shtetit që nga viti 1999, që në moshën 26-vjeçare ai ishte ministër i Jashtëm, post që mbajti për 16 vjet. Muajt e fundit ai ka qenë jashtë vendit në përpjekje për të rimarrë veten nga një iktus që e goditi në vitin 2013. Të dielën, ditën që feston 82 vjetorin, ai pritet të zyrtarizojë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të muajit Prill./abcnews.al