Vijojnë protestat në Bejrut ku manifestuesit janë përballur me forcat e rendit, ndërsa mediat flasin për qindra të plagosur. Protestuesit janë kundër klasës politike në vend e cila akuzohet për korrupsion, në një kohë që gjysma e popullsisë kërcënohet nga varfëria.
Protestat e të shtunës në kryeqytetin e Libanit shkaktuan rreth 400 të plagosur. Objektiki i forcave të rendit ishte që të pengonin manifestuesit që të arrinin në ndërtesën e Parlamentit. Një vend që sipas protestuesve është djepi i korrupsionit të klasës politike, prej tre muajsh e kundërshtuar në shesh në një protestë që tashmë ka paralizuar vendin.
Me parullën “revolucion” manifestuesit u përballën me pompat e ujit dhe me dhunën e ushtrisë dhe agjentëve të policisë. Një përplasje që përshkallëzohet për ditë në një vend ku situata ekonomike vijon rënien. Dikur i konsideruar si Zvicra e Lindjes së Mesme, sot vendi është një hap larg varfërisë që kërcënon pothuajse gjysmën e popullsisë./abcnews.al