Mobilizimi në Francë kundër reformës së pensioneve të kërkuar nga president Emanuel Macron, ka shënuar një rekord të ri për sa i përket kohëzgjatjes. Në ditën e 29 rradhazi të grevës, është lënë pas rekordi prej 22 ditësh në 1995-ën, si dhe ai i 1986-87, prej 28 ditësh.
Mediat franceze raportojnë këtë fakt duke shpjeguar se kohëzgjatja vjen si pasojë e disa faktorëve, si për shembull karakterit universal të reformës, që u përket të gjithë francezëve dhe që kontribuon në ruajtjen e mbështetjes së lartë të opinionit publik. Gjatë javës së tretë të grevës, situata është përmirësuar pak. Nënpunësit e transportit publik në grevë nuk kanë marë pagën e tyre dhe kjo ka bërë që disa prej tyre t’i rikthehen punës.
Në ditët e para të mobilizimit greva shënonte një pjesëmarrje deri në 70 përqind dhe punëtorët e hekurudhave mund të mbulonin vetëm 10 përqind të punës. Aktualisht niveli i pjesëmarrjes në grevë ëshët deri në 44 përqind. Negociatat aktuale mes qeverisë dhe sindikatave kanë shënuar pak progress dhe duhet të rinisin në 6 janar.
Reforma e pensioneve e kërkuar nga Macron synon redukrimin e pensioneve dhe rritjen e moshës së daljes në pension në radhët e nënpunësve të transportit publik duke afruar trajtimin e tyre me atë të kategorive të reja. Aktualisht sistemi i pensioneve të transportit publik është veçanërisht i komplikuar dhe ka shumë avantazhe për nënpunësit; avantazhe të cilat ata i kanë fituar si pasojë e shumë betejave të tilla gjatë viteve. Macron dhe qeveria e tij akuzojnë se ky sistem prodhon privilegje për nënpunësit e hekurudhave dhe premtuan se do e modifikojnë. Sindikatat nga ana e tyre akuzojnë qeverinë se po përdor reformën e pensioneve si justifikim për të hequr të drejtat e fituara me mund dhe për t’i hapur rrugë privatizimit të sistemit të transportit public francez.
Qeveria franceze dëshiron të vendosë në fuqi një sistem të mbështetur në kontributet e derdhura, ndërsa regjimi aktuali lejon shumë punëtorëve të llogarisin pensionin në bazën e viteve kur kanë kontribuar më shumë./abcnews.al