Protesta në Tiranë, për lirimin e Thaçit/ Kryegjyshata Bektashiane mbështet protestën e thirrur të premten

schedule15:07 - 14 Tetor, 2025

schedule 15:07 - 14 Tetor, 2025

TIRANË- Kryegjyshata Bektashiane mbështet protestën e thirrur të premten në Tiranë, për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë mbështetje e dha vetë Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, në një deklaratë për mediat.

“Siç dihet, ditën e premte ne Tiranë mbahet një protestë pro atyre që po dënohen për të drejtat e tyre, për lirinë e tyre, për dashurinë e tyre për paqen, luftëtarët që luftuan të UÇK, të cilët dhanë edhe jetën për të fituar dhe Kosova të drejtat e veta për të qëndruar e lirë pas atij gjenocidit të tmerrshëm që bënë serbët ndaj popullatës atje. Edhe ne si bektashinj do t’i mbështesim deri sa ata të dalin të lirë në paqe dhe në mirësi, sepse për atë luftuan.

Edhe protestat që janë bërë në Kosovë, edhe këtu, kudo që të bëhen, ne do t’i mbështesim si bektashinj, sepse ne jemi për kombin, për atdheun, siç thotë dhe Profeti Muhamed: Pa atdhe nuk ka fe. Kjo është një mbështetje për të vërtetën, për lirinë dhe për paqen mbarënjerëzore.

Uroj të shkoj mirë, e me paqe për të marrë të drejtat tona, si komb që jemi nga më të vjetrit në Ballkan, i kemi dhënë botës dhe njerëzimit. Ne kërkojmë të drejtën tonë që ta fitojmë me dashuri, paqe dhe mirësi. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve”, tha Kryegjyshi i Bektashinjve.

Në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet me 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë do të bëhet thirrje për një gjykim të drejtë në Hagë të krerëve të UÇK-së.

Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Në Gjykatën Speciale në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza këto, që i kanë mohuar në mënyrë kategorikisht./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!