Protesta në Beograd/ Studentët bëjnë thirrje për grevë të përgjithshme

schedule13:56 - 24 Janar, 2025

schedule 13:56 - 24 Janar, 2025

Protestat kundër korrupsionit në Serbi po përshkallëzohen. Studentët dolën sërish në tubime, me thirrjen që qytetarët të mbajnë grevë të përgjithshme.

Megjithatë jeta në kryeqytetin serb vijoi normalisht. Transporti funksionoi pavarësisht tubimeve dhe dyqanet e aktivitetet e tjera ishin të hapura.

Juristë, aktorë, disa organizata mësuesish dhe disa punëtorë të minierës së qymyrit shpallën pjesëmarrjen e tyre në grevën e përgjithshme, por të tjerë u përballën me presione dhe kërcënim për largim nga vendi i punës.

Në Beograd, nxënësit mbajtën tubime jashtë shkollave të tyre, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme së bashku me mësuesit marshuan dhe bllokuan disa rrugë.

Edhe partitë opozitare iu bashkuan protestuesve në bllokimin e rrugëve. Veprime të ngjashme ndodhën në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërkohë po organizon kundërtubime të përkrahësve të tij në qytete të ndryshme të Serbisë me sloganin “Promovimi i Serbisë së ndershme dhe normale”.

Protestat kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës në Serbi filluan pas shembjes së stacionit hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona. Vuçiç dhe qeveria i konsiderojnë protestat studentore “të nxitura nga shërbimet e huaja që kërkojnë përmbysjen me dhunë të pushtetit dhe shpërbërjen e vendit”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!