Policia bjelloruse arrestoi 633 persona në protestat e së dielës, sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme. Protestat kundër regjimit të Aleksandar Lukashenko u mbajtën në Minsk dhe qytete të tjera. Mijëra njerëz sfiduan praninë e madhe të forcave të sigurisë, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit. Lukashenka është rizgjedhur president muajin e kaluar, por sipas opozitës, zgjedhjet janë manipuluar, raporton BBC
Protestuesit, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se policia po shtyp brutalisht marshimet paqësore. Disa pamje të shpërndara në internet kanë treguar njerëz të veshur me të zeza duke rrahur protestuesit me shkopinj. Ministri i Punëve të Brendshme, Yuri Karayev, i doli në mbrojtje forcave të sigurisë.
“Nëse flasim për brutalitetin e policisë bjelloruse, unë dua të them diçka: Nuk ka asnjë polic më njerëzor, më të përmbajtur në asnjë vend të botës se policia e Bjellorusisë”, tha Karayev.
Një protestuese në Minsk, e cila u identifikua si Lyudmila, tha për BBC-në se demonstruesit nuk do të pengohen nga forcat e sigurisë, transmeton abcnews.al
“Ne nuk duan të rikthehemi në jetën që kemi pasur vite me radhë”, tha ajo.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, bëri përsëri apel për “dialog kombëtar”, duke thënë se “demonstratat masive në Bjellorusi tregojnë vendosmërinë e njerëzve për lirinë, të drejtat dhe demokracinë e tyre, përballë arrestimeve, kërcënimeve dhe dhunës”.
Të premten, udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, e cila ndodhet në Lituani, kërkoi nga Kombet e Bashkuara që të ndërhyjnë në protestat e zhvilluara në vend duke ndihmuar protestuesit, transmeton abcnews.al
Tikhanovskaya tha se kërkon t’i jepet fund dhunës policore, të lirohen të gjithë të burgosurit politikë dhe të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Muajin e kaluar, udhëheqësit e BE-së ranë dakord që të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë, të përfshirë në manipulimet e pretenduara në zgjedhje dhe burgosje të protestuesve.
Lukashenka i ka mohuar të gjitha akuzat për manipulim të votave. Ai i ka fajësuar disa vende të Bashkimit Europian, sidomos Poloninë dhe Lituaninë, se po përpiqen të ndryshojnë regjimin. Ai është zotuar se do ta mbrojë Bjellorusinë. so.ba/abcnews.al