Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Protesta/ Koçiu: Berisha një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve. Dhunuesit e policëve do përballen me ligjin!

schedule12:05 - 11 Shkurt, 2026

schedule 12:05 - 11 Shkurt, 2026

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar në lidhje me protestën e djeshme, të organizuar nga opozita me në krye Sali Berishën, në Bulevardin para Kryeministrisë.

“Përpjekje e dështuar për të ardhur në pushtet, duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet dhe për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotov apo sende të forta mbi punonjësit e policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është një vepër penale. Një rol të posaçëm këtu duhet që të luajnë edhe institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për të mbrojtur këta të mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale.

Është kjo arsyeja se përse protestat e PD janë braktisur masivisht nga qytetarët duke përfunduar në një grusht militantësh apo persona të paguar për të krijuar imazhin imagjinar të një revolte popullore. Kjo është e paparanueshme. E drejta për të protestuar, nuk është e drejtë për të shkatërruar, dhunuar apo aq më pak për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të policisë. Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të dalin përpara ligjit. U bëj thirrje organeve të drejtësisë të gjykojnë këto akte barbare ndaj uniformës, pas të cilës qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës. Një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.



Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji.

Sot, solidaritet maksimal për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes.

Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre.

Nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.

Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike”, tha Koçiu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!