Është ripërsëritur rasti i dhunës mes familjarëve të pacientëve dhe mjekëve në spitalin e Fierit. Këtë të enjte mjekët e spitalit Rajonal të Fierit kanë protestuar në lidhje me dhunën e ushtruar nga , Ardit Klima, djali i një pacienti rast që për herë të parë u bë publik në një emision televiziv, para disa ditësh.
Ata shprehen se vazhdimisht djali i pacientit ka ardhur sërish një natë më parë në ambientet e spitalit me babain e tij dhe ka qenë i dhunshëm ndaj tyre duke i ofenduar, ndërsa në lidhje me këtë rast pretendojnë se i janë drejtuar edhe policisë por nuk kanë marrë zgjidhje.
Presidenti i urdhërit të mjekut, Besnik Brahimaj tha se mjekët dhe personeli i mesëm në spitalin e Fierit vazhdojnë të jenë objekt kërcënimi dhe dhune nga një person i vetëm dhe se kjo situatë duhet të marrë fund.
Ndër të tjera mjekët kanë kërkuar ndihmën e organeve përkatëse që ti mbrojë në punën e tyre.
“Ka ardhur këtu dhe unë nuk e njihja fare, ai ka sharë dhe ka ofenduar të gjithë bluzat e bardha që ndodheshim këtu në urgjencë. Kam njoftuar policinë 3 herë dhe ka ardhur pas gjysmë ore, sapo erdhi policia ai më ka sharë dhe është larguar. Kërkojmë që të merren masat për ne dhe mbrojtjen e punës sonë, pasi drejtoria s’ka bërë asgjë është kundra nesh”, është shprehur ndër të tjera mjeku.
Ndërkohë një tjetër mjek i spitalit të Fierit, thekson se e kanë të vështirë që të punojnë në këto kushte. Sipas tij përveç pandemisë ato tashmë do të duhet të merren dhe me problemet familjare që kanë pacientët.
“Kjo është një protestë të ndihmë të personelit mjekësore, në një periudhë të vështirë ku familjarë të pacientëve dhunojnë pacientët. Dje po i njëjti person që ka qenë dhe para disa ditësh u paraqit në spital dhe kapte mjekët dhe u kërkonte që të merreshin me babin e tij. Përveç pandemisë, mjekët duhet të merren dhe me problemet e pacientëve që kanë mes tyre në familje. Policia është e njoftuar dhe e ka shoqëruar disa herë personin por akoma nuk ka asnjë vendim nëse duhet të mbahet nën monitorim apo jo ky person”, është shprehur ai.
Ndërkohë mjekja kardiologë në këtë spital ka bërë me dije se ai e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar që të shkojë në shtëpinë e tij për të vizituar të atin.
“Duhet të vish në shtëpi dhe të vizitosh babin tim, nëse nuk vjen do të marr masa të tjera”, është shprehur mjekja.e.su./abcnews.al