Protesta e policëve të Kosovës për pagat/ Duriqi: Efektivët frikësohen për vendin e punës

schedule16:42 - 2 Nëntor, 2023

schedule 16:42 - 2 Nëntor, 2023

Një ditë më parë, njësitë elitë të Policisë së Kosovës protestuan para ndërtesës së qeverisë, duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë në punë. 60 efektivë shprehën pakënaqësinë për vendimin e qeverisë rreth shtesave të rrezikshmërisë, për të cilën kanë kërkuar rishikimin e kategorizimit.

Në një reagim të qeverisë Kurti lidhur me këtë protestë, thuhej se të ardhurat e policëve që protestuan ishin mbi 2 mijë euro gjatë këtij viti. Megjithatë, Visar Duriqi nga Insajder theksoi në emisionin “Ballkan Update” se kjo shifër mund të jetë dhënë në shtator, kur ndodhi edhe sulmi në veri.

“Edhe mund të kenë marrë në muajin shtator, sepse ka qenë një operacion një javor dhe shumica e njësive elitare nuk kanë pasur asnjë ditë pushim dhe normal që çdo tejkalim i orarit paguhet më shumë. Pagesat nuk i afrohen 700 në muajin normal. Në këtë rast, kemi edhe shkelje të ligjit të punës për shkak se policët janë mbajtur me ditë të tëra, pa asnjë moment pushimi, pa mundur me takuar familjet e tyre. Çfarë ka dashur me thënë kryeministri dhe ministri i brendshëm, është që këta policë, për t’u paguar duhet që Kosova të jetë vazhdimisht nën sulme terroriste që është absurditet. Nëse policët duan të kenë paga 2 mijë euro, duhet të jemi nën sulme terroriste dhe vazhdimisht duhet të punojnë përtej orarit që të kalojnë 700 euro.“, u shpreh ai.

Ai shtoi se mundësia për të vijuar protestat është e pakët për shkak të frikës se mund të pezullohen apo largohen nga puna.

“Statuset ku kryeministri sulmon verbalisht policët, dhe ministri i Brendshëm del me një mashtrim optik me ato shifra, është që pak a shumë i frikëson pjesëtarët e policisë. Por fakti që edhe ata janë njerëz dhe kanë familje frikësohen për vendin e punës, rreziku që të kenë pasoja në vendin e punës me pezullime apo mungesë gradimi janë evidente për këdo që organizon protestën. Komunikimi me ta ka qenë thuajse i pamundur sepse ata nuk mund ta bëjnë këtë gjë nëpërmjet zyrës për informim të policisë së Kosovës. Mendoj se agravim të situatës nuk mund të ketë në kuptimin që të kemi edhe protesta të tjera por edhe zgjidhje të shpejtë të këtij problemi me vullnetin që tregoi Kurti mbrëmë, që më shumë është për t’u përplasur me policinë, sesa për t’i thirrur në zyrë.”, përfundoi Duriqi./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!