TIRANË- Sali Berisha u shfaq sot konfuz para gazetarëve. Sipas tij, molotovët që plagosën një operator u hodhën nga policia. Ai përmendi gjithashtu katër snajperë që, sipas pretendimit të tij, qëlluan ndaj protestuesve.
Ish-kryeministri, i lidhur me ngjarjet e 21 janarit në bulevard, u përpoq të krijojë një narrativë të re, duke e paraqitur veten jo si urdhërues, por si viktimë të një “21 janari” të imagjinuar prej tij.
Mes viktimave të përmendura prej tij ishte edhe një biznesmen i afërt me familjen, i cili ka përfituar leje ndërtimi nga qeveria e Edi Ramës.
Gazetari i njohur Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se Sali Berisha në protestën e djeshme ka dashur të ketë viktima për të sfumuar vrasjet e bëra nga qeveria e tij më 21 janar 2011, ku humbën jetën katër protestues të pafajshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Ai po përpiqej të kishte edhe katër viktima, siç kishte më 21 janar dhe për t’i sfumuar ato vrasje. Më 21 janar kanë qëlluar mbi qytetarët me plumba gome. Mitingjet e Berishës kanë pasur viktima. Ai i krijon këto histori, i beson dhe vetë dhe pastaj i bën heronj. Atij i duhen heronj.”, tha ai.
Më tej, avokati Edmond Petraj theksoi se strukturat e drejtësisë duhet të nisin hetimin për përdorimin e molotovëve dhe të nxjerrë para përgjegjësisë organizatorët e vërtetë të protestës.
Sipas tij, Sali Berisha po paralajmëron se po përgatitet të përshkallëzojë dhunën në protestën e radhës, të cilën e ka lajmëruar me 20 shkurt.
“Më bënë përshtypje ato molotovët. Ato të djegin, pjesa e benzinës, që ata vënë në ato shishe është shumë e keqe dhe ajo djeg njerëzit që ndodhen afër. Policia duhet të merret me këto. Policët nuk duhet të preken, por ato çuditërisht po preken.
Berisha kërkon të krijojë 21 janarin e vet. Kërkon o të plagosur ose të vrarë, të paktën kështu e shikoj unë. Paralajmëron se mund të ketë viktima në protestën e radhës. Ai po përgatitet ta përshkallëzojë dhunën në protesta.
Protesta duhet hetuar, të hetohen ato persona që kanë përgatitur ato shishe me molotovë. Ato të marrin jetën. Ato janë bomba. SPAK duhet të hetojë, qoftë me indicie pjesën e këtyre armëve, sepse ata të djegin dhe sjellin dëmtime tek njeriu.”, tha ai/abcnews.al


