Misionet më të rëndësishme diplomatike në Tiranë reagojnë dy ditë para protestës së opozitës në Tiranë. Ata bëjnë apel që ky tubim të jetë paqësor, ndërsa kujtojnë se dhuna është e papranueshme.
Dy ditë para protestës së opozitës në Tiranë, ka reaguar dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. Përmes një postimi në Facebook, ambasada vlerëson se e drejta e qytetarëve për të protestuar duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme. Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë bën apel për zhvillimin e një manifestimi paqësor.
Në një intervistë për Deutche Welle, ambasadori Soreca tha se “nga deklaratat më të fundit të organizatorëve, kuptohet që ata duan të sigurojnë që do të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që siguria e qytetarëve të përfshirë të jetë e garantuar. Ky është lajm i mirë dhe shpresoj që të gjitha palët e përfshira do ta respektojnë”, është shprehur ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë.
Edhe prezenca e OSBE-së në vendin tonë shpreh shpresën që protesta politike e së shtunës nuk do të degjenerojë në dhunë.Në një deklaratë për shtyp, OSBE vë në dukje se trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet. Një reagim ka ardhur edhe nga Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, i cili shpreh shqetësimin e tij për situatën e demokracisë dhe blerjes së votës në Shqipëri. Të drejtat e opozitës në parlament duhet të respektohen.
“Nevojiten më shumë përpjekje në luftën krimit dhe korrupsionit, përfshirë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit”, shkruan Daul në statusin e tij në Twitter./abcnews.al